NGA KLODIANA LALA*

TIRANË- Mide Dumani, gruaja e Shkëlzen Dumanit, besimtarit mysliman që dyshohet se ka humbur jetën në Siri në vendin e shkatërruar nga lufta, u shoqërua nga forcat e policisë, për të dhënë dëshminë e saj në procesin ndaj nëntë të akuzuarve për rekrutime xhihadiste, mes të cilëve edhe dy imamët e vetëdeklaruar Genci Abdurrahim Balla e Bujar Hysa. E veshur me të zeza, thuajse e ngrirë në shikim, Mide Dumani, e cila mbetet me shpresën se një ditë dy fëmijët e saj, që ia dërgoi burri në Siri, do të mund t’i rishohë, “kyçi” gojën përpara gjykatës për Krime të Rënda. Me një zë të ngjirur, tejet të ulët, mundi t’i thotë pesëshes gjykuese se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, për të dhënë dëshminë e saj.

Pas gruas në sallën e gjyqit hyri i vëllai i saj, Agim Ndregjoni, kunati i Shkëlzen Dumanit. Ai pritej të rrëfente gjithçka dinte lidhur me rekrutimin dhe udhëtimin drejt Sirisë së Dumanit dhe nipit të tij Endri e mbesës Eva, ku fati i dy fëmijëve nuk dihet ende, ndonëse është konfirmuar se babai i tyre i dërgoi në vendin e luftës. Por, edhe dëshmitari Agim Ndregjoni nuk dëshmoi në sytë e nëntë të akuzuarve. Ai deklaroi se ka qëndruar për 12 orë në këmbë në ambientet e policisë, ku e kishin shoqëruar me qëllim që ta sillnin në gjykatë, ndaj për këtë arsye, ishte në pamundësi, për të dhënë dëshminë e tij. “Kam qëndruar 12 orë në këmbë në polici dhe dua të jem i qetë kur të dëshmoj, se nuk dua t’u bie me qafë, as këtyre e as vetes”, tha Agim Ndregjoni. Në këto kushte, duke qenë se Dumani dhe Ndregjoni janë dy dëshmitarët e fundit të prokurorisë, gjykata vendosi ta shtyjë procesin për të martën tjetër, për t’i pyetur ata.

Historia e Dumanit
Shkëlzen Dumani nga Dibra është një ndër dhjetëra besimtarët myslimanë shqiptarë që udhëtuan drejt Sirinë, për t’u bërë pjesë e luftimeve të përgjakshme. Pak kohë pasi mbërriti në vendin e shkatërruar nga luftimet, Dumani dyshohet se mbeti i vrarë dhe në Siri, në mëshirën e fatit kanë mbetur dy fëmijët e tij të mitur, që ai mori me vete, kur la Shqipërinë. Në kërkim të dy fëmijëve shkoi nëna e Dumanit, grua e moshuar e cila gjithashtu mbeti në kamp në Siri.

Të pandehurit
Nëntë të pandehurit, Genci (Abdurrahim) Balla, Bujar Hysa, Gert Pashja, Edmond Balla, Zeqir Imeri, Verdi Morava, Fadil Muslimani, Astrit Tola dhe Orion Reçi akuzohen se kanë rekrutuar dhe dërguar në Siri të paktën 70 besimtarë myslimanë shqiptare, ku në vendin e luftës janë rreshtuar në krah të organizatave terroriste. Nga të dhënat e deritanishme, dyshohet që të paktën 15 besimtarë janë vrarë gjatë luftimeve.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb