TIRANË- Katër muaj pas ndarjes nga jeta të bashkëshortes, si pasojë e një komplikacioni pas lindjes, portieri i partizanit Alban Hoxha, i është drejtuar gjykatës së Tiranës me një padi civile përmes së cilës kërkon në rrugë gjyqësore, vërtetimin e atësisë së djalit të tij. Shkak për këtë është bërë mos ekzistenca e martesës ligjore mes tij dhe nënës së fëmijës, Dorjana Haka.

Në padi Hoxha kërkon gjithashtu që djali i tij të trashëgojë të njëjtin mbiemër me të dhe regjistrimin e këtij fakti në regjistrat e gjendjes civile. Mësohet se padia është dorëzuar në Gjykatën e Tiranës më 24 mars, ku në rolin e paditësit është vetë futbollisti Alban Hoxha, ndërsa palë e paditur janë djali i tij, dhe gjyshi i fëmijës, Enver Haka.

Sakaq nga Gjykata e Tiranës nuk është përcaktuar ende data e seancës së kësaj padie, ndërsa shorti ka përzgjedhur si gjyqtar të çështjes gjyqtaren Fahrije Hudo

Ndërkohë më 18 mars të këtij viti, në Gjykatën e Tiranës është dorëzuar një tjetër padi civile, këtë herë nga familjarët e të ndjerës kundër maternitetit Koco Gliozheni. Pala paditëse në gjykatë është regjistruar nga Enver Haka, ndërsa palë e paditur është Spitali Universitar obstetrik gjinekologjik koco gliozheni. Përmes kësaj padie, familjarët e të ndjerës kërkojnë dëmshpërblim nga materniteti për dëmin e shkaktuar për humbjen e vajzës së tyre Dorjana Haka. Shorti ka përcaktuar se procesi do të gjykohet nga gjyqtarja Enkeleda Bajo, ndërsa seanca pritet të zhvillohet më 21 prill. Dorjana Haka humbi jetën më 19 nëntor 2014 si pasojë e një komplikacioni shëndetësor pas lindjes së fëmijës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb