Prej 3 vitesh nuk i thahen lotët në sy por e mposht dhimbjen dhe i harron të gjitha vetëm t’iu sigurojë një jetë të përshtatshme tre fëmijëve të djalit të saj të vetëm. Fatmira Bombaj, një 58-vjeçare nga Selenica ka vendosur të hapë zemrën në emisionin me “Zemër të Hapur” në News24 e të rrëfejë dramën e saj. Fatmira është një gjyshe e cila kërkon ndihmë pasi po kalon një situatë të vështirë ekonomiko-sociale.

18 janari i 2016 shënon edhe ditën më të zezë në jetën e kësaj nëne, djali i saj në moshën 35-vjeçare pësoi një infarkt dhe la pas gruan 32-vjeçare me tre fëmijët. Por zemra e nënës sërish u lëndua, pasi në 26 tetor të 2019 iku nga kjo jetë edhe bashkëshorti i 58-vjeçares, i cili po bën tre muaj që ka ndërruar jetë. Dy plagë të hapura të cilat i kanë rënduar zemrën nënës por edhe gruas dhe tre fëmijëve të cilët përballen me një realitet të egër.

Aktualisht 58-vjeçarja jeton me nusen dhe tre fëmijët. Të vetmet të ardhura që kjo familje merr janë ndihma ekonomike prej 3 mijë lekësh dhe 6 mijë lekë të cilat zonja i përfiton nga pensioni i bashkëshortit si e ve. 58-vjeçaria rrëfen se ka ditë që fëmijët flenë pa ngrënë. Dy gratë e shtëpisë po përballen me skamjen, ajo që e ka shtyrë nënën të vijë në studio janë tre fëmijët të cilët veç humbjes së babait po përjetojnë varfërinë e skajshme.

Zemra 1
Zemra 1

“Pata një djalë të vetëm. Lidha jetën me djalin por nuk arritëm dot që të na përcillte ne e jo ne atë. Në Selenicë nuk kishte punë e shkuam në emigrim për një jetë më të mirë. Djali nisi punë dhe ditën e 11-të djali pësoi infarkt dhe e sollëm të vdekur në shtëpi. Djali më vdiq duke gdhirë 18 janari. Pësoi infarkt.
Ikja e djalit më shkatërroi. U bëra me tension, u bëra me ankth, me ilaçe. Kam të tre fëmijët në shkollë, me 30 mijë lekë asistencë nuk ia dal dot me lapsa. Pas 2-3 muajsh që vdiq djali, burri u sëmurë, 2 vjet e gjysmë më pas vdiq dhe burri në moshën 67-vjeçare. Nuk e përballoi dot. Të qaj djalin, të qaj burrin, të qaj për fëmijët se si do i rris…(qan) Ku të vete, një grua, çfarë të bëj. Ata shikojnë nga mua, o nëna. Çfarë të bëjë nëna, që nuk ua plotëson dot. Ndaj kam ardhur, të ndihmoj fëmijët, të hanë, të pinë, të rriten si shokët”, thotë mes lotësh Fatmira.

Ajo tregon se djalin e kishte shumë të lidhur pas vetes. “Deri në 7 vjeç më ka rritur mamaja. U martova e vogël dhe ma mbajti mamaja. Ngado që vija më vinte nga pas o Mira, se më thërriste në emër. Për fëmijët e djalit kam shumë detyrime, do jap shpirtin. Për ata jetoj dhe për atë nuse se është vajzë e re, e lidhi jetën me mua. Djalit i kam bërë dasmë të madhe kur e martova. Vajzës së madhe ia ka vënë emrin Kalomira për të ritur emrin tim Mira, djalit ia vuri Milo si i ati, vajza e vogël e ka emrin Kristina. Por nuk i gëzoi, jeta është shumë e padrejtë. Mi la t’i gëzoj unë fëmijët. Për ata tre yje jetoj se po të mos ishin ata do isha hedhur në lumë”, thotë 58-vjeçarja.

E pyetur për marrëdhënien me nusen, Fatmira tregon se e ka si vajzë dhe komunikojnë shumë mirë. “Nusen e kam vajzë jo nuse. Me atë nuse po përballoj gjithë këto dhimbje. I kemi vënë gjoksin shtëpisë për ata fëmijë, për respekt të burrit e djalit që na ikën. Do bëj ç’është e mundur për fëmijët. Kushdo që më dëgjon për jetimët e mi, të bëjnë një mrekulli, do iu jem borxhli me jetën”, thotë 58-vjeçarja.

Për historitë me probleme mes vjehrrave dhe nuseve, Fatmira thotë se vjehrrat duhet të tolerojnë. “Nuk janë nëna këto. Nisja mund të gabojë por nëna duhet ta bëjë barkun e madh se po nuk deshe nusen, nuk do djalin. Nëna ka kënaqësi kur e shikon djalin e nusen që shkojnë bashkë. Nusja e djalit i ka të gjitha të mira. Nuk më ka thënë asnjëherë jo, për çdo gjë që i them. Edhe unë nuk i kam thënë jo”, tregon Fatmira. Ajo kërkon ndihmë që nusja e djalit të punësohet dhe fëmijët të kenë një jetë më të mirë si të gjithë moshatarët.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb