BULQIZË

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Bulqizë ku një grua ka humbur tre fëmijët në një barrë trinjake në muajin e pestë të shtatzënisë. Gazetari Enver Doçi raportoi për “BalkanWeb” se gruaja shtatzënë me trinjak E. Rexhepi kishte ardhur nga fshatrat në spitalin e Bulqizës ku nuk ka as mjek gjinekolog dhe as sallë operacioni.

Ajo ka lindur parakohe fëmijën e parë me asistencën e infermieres dhe ka pasur vështirësi për dy foshnjet e tjera. Një gjinekolog me staf mjekësor ka ardhur nga Tirana me helikopter në Bulqizë por me sa duket ka qenë vonë për fëmijët.

Sipas burimeve nga spitali, të tre fëmijët nuk kanë mundur të mbijetojnë për shkak të komplikacioneve. Ndërkaq mësohet se gjendja e gruas është e stabilizuar dhe për momentin jashtë rrezikut. Gazetari Enver Doçi raportoi se 30-vjeçarja ka ardhur nga një zonë e thellë e Bulqizës, Ostreni, dhe i është dashur që të udhëtojë me kalë rreth një orë, atëherë një makinë e zonës e ka sjell në spitalin e Bulqizës. Sipas dëshmive të para, gruaja ka thënë se ka qenë duke kryer punë bujqësie të rënda deri kur i kanë nisur dhimbjet që është nisur në spital.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb