TIRANË- Pas 12 vitesh qe jeton në bunker Florie Gjana dhe 3 fëmijët e saj do të kenë më në fund një shtëpi si gjithë të tjerët. Objekti dy katësh që ka nisur të ndërtohet fare pranë bunkerit ekzistues është dhuratë i një fondacioni humanitar, i cili i është përgjigjur apelit në media të familjes se varfër.

“Falënderoj shoqatën që ka vënë dorën në zemër për këta jetimë. 12 vite në bunker, lagështirë, ujë, çfarë të them, më keq nuk ka. Ftohtë, errësirë. Falenderoj Zotin që po më ndihmon. Pas një muaji do të hyj në shtëpinë e re. Pas 12 vitesh në bunker, s’më besohet akoma, s’më besohet!”, thotë Floria, ndërsa zëri i dridhet nga emocionet.

Ndërsa një nga përfaqësuesit e një kompanie që kontribuuan materialisht për familjen Gjana, duke dhuruar një sasi të hollash që ata të kishin mundësi të rilidhnin energjinë, ka falënderuar Neës24 për bërjen publike të historisë së Flories. “Të uroj nga stafi jonë, që të bësh një vit sa më të gëzuar dhe viti i ardhshëm të jetë i mbarë, të mos jetosh më në këto kushte. Na vjen mirë që Neës24 paraqiti një fakt të tillë. Me ndihmën që ne të dhamë, që do të jetë edhe në vazhdim, shpresoj tju gëzojmë për këtë vit”, tha njëra prej donatoreve.

Historia e bunkerit të Shkozës ku jeton prej 12 vitesh gruaja e ve me 3 fëmijë të vegjël u bë e njohur për opinionin publik përmes reportazhit të transmetuar në Neës24 të gazetarit Erjon Skëndaj. Reportazhi sjell dëshmi rrëqethëse sesi një nënë fillikat e vetme jeton me fëmijët në një bunker të madh pronë e Forcave të Armatosura në zonën e mbi Shkozëz, të cilin deklaron se ia ka blerë 3.5 milion lekë një shtetasi nga Kukësi 12 vite më parë.
Në mungesë të një strehe familja ka vijuar të jetojë në bunker ku janë lindur dhe rritur tre fëmijët e vegjël, të cilët sot nuk kanë as mbështetjen e babait i cili ka 5 vite që ka ndërruar jetë.

E vetme me 4200 lekë në muaj ndihmë ekonomike nëna e re nuk arrin dot as të paguajë kontratën për lidhjen e energjisë elektrike.

Kjo dramë familjare do të shtjellohej edhe më tej në emisionin “Me zemër të hapur” të gazetares Evis Ahmeti prej ku dëshmitë tronditëse të jetesës në bunker dhe pa drita thënë nga goja e nënës së re dhe fëmijëve të saj të vegjël provokuan reagime pozitive të qytetarëve të thjeshtë.

Shume telefonues nga brenda dhe jashtë vendit iu përgjigjën thirrjes me ndihma, në ushqime veshmbathje dhe të holla ndërsa një familje nga Tirana dhuroi të gjitha orenditë e shtëpisë të cilat i kishte rinovuar me të reja.

Por ndryshe nga solidariteti njerëzor i qytetarëve të thjeshtë, strukturat përgjegjëse zgjodhën heshtjen përballë dramës 12-vjeçare të familjes Gjana.

“Nga shteti nuk kemi marrë asgjë akoma, nuk e di. Qytetarët kanë ardhur kanë sjellë gjëra, për Vitin e Ri, për të gëzuar kalamajtë”, thotë Floria.

Në Shqipëri janë me mijëra familje si ajo e Florie Gjanës që rrojnë në varfëri ekstreme, e që i falen çdo muaj lëmoshës që jep shteti që nuk mjafton as për bukë thatë.
Plagë të tilla të shoqërisë nuk mund të shërohen asesi me ndihma dhe vullnetarizëm qytetarësh me shpirt të madh por me vendime konkrete nga ana e shtetit që duhet të marrë sot përgjegjësitë që i cakton ligji, të mbrojë njerëzit në nevojë që luftojnë për mbijetesë.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: