Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Florida të SHBA-ve, ku çifti shqiptar Pajtim dhe Sabrina Krasniqi janë gjetur pa shenja jete. Policia amerikane ka thënë se Sabrina ka vrarë bashkëshortin Pajtimin dhe më pas ka kryer vetëvrasje.
Pas ngjarjes që ka tronditur opinionin publik në Kosovë e jo vetëm, ka reaguar motra e Pajtimit, Albana Krasniqi. Kjo e fundit shprehet se Sabrina ia mori jetën vëllait të saj Pajtimit, duke e qëlluar me pesë plumba. Ajo shton se Sabrina ia shkatërroi familjen, duke shtuar se “ajo e tradhtoi atë, dashurinë dhe besimin e tij”.
“Festën e Falënderimeve nuk e kalova me burrin dhe fëmijët e mi. Nuk e kalova me miqtë e mi. Këtë ditë e kalova me policët, hetuesit dhe lajmet që flisnin për vrasjen e egër dhe të pakuptimtë të vëllait tim të vogël nga gruaja e tij.
Gruaja e Pajtimit zgjodhi t’ia merrte jetën vëllait tim, kur ajo e qëlloi me pesë plumba në kraharorin e tij. Personit të cilin i besonte kaq shumë, personin të cilin e zgjodhi të kalonte jetën edhe ia mori. Ajo e tradhtoi atë, dashurinë dhe besimin e tij. Ajo e shkatërroi familjen time. Unë dhe vëllezërit e motrat e mia nuk do të jemi më kurrë njësoj. Jam e tmerruar që nëna ime nuk do ta kalojë kurrë këtë. Të dua përgjithmonë Pajtim”, ka shkruar në Facebook, Albana Krasniqi.
Ngjarja e rëndë ndodhi në apartamentin luksoz të çiftit në Florida. Hetimet kanë dalë në përfundimin se Sabrina, 27 vjeçe ka qëlluar bashkëshortin e saj, Pajtim Krasniqin dhe më pas dyshohet se ka kryer vetëvrasje. Nuk dihen motivet e ngjarjes me dy viktima.