Një 52-vjeçare nga Korça rrëfeu sot në emisionin “Me zemër të hapur” në News24 konfliktin disa vjeçar me kunatin i cili nuk e lejon familjen e saj të hyjë në banesën ku kanë jetuar që nga koha kur ajo është martuar.

Lindi fëmijët atje, jetuan për një kohë të gjatë, por pas zhvendosjes së bashkëshortit në kryeqytet me punë, vjehrra u diagnostikua me kancer dhe i duhej të merrte trajtime të vazhdueshme pranë QSUT.

Kjo ishte arsyeja që ata u zhvendosën familjarisht në Tiranë që nusja të kujdesej për vjehrrën. I qëndroi afër asaj, por gjatë kësaj periudhe ajo i ka thënë të birit se e kishte hequr nga certifikata e pronësisë, por do ta rregullonte këtë gjë. Vazhduan të shpresojnë deri në momentin e fundit, por pasi vjehrra ndërroi jetë u përballën me të vërtetën e hidhur.

Ajo kishte nënshkruar edhe një testament ku i hiqte djalit të drejtën për të trashëguar pronën. Shkuan në banesën e tyre në Korçë, por kunati i cili ka një pjesë të shtëpisë u ka bërë të qartë se nuk mund të futeshin më në shtëpi, pasi ajo ishte pronë e tij.

Pas një procesi gjyqësor ku ndryshuan certifikatën e pronësisë, ende nuk fitojnë dot të drejtë për të rimarrë shtëpinë e tyre.

“Kunatin e kam gjetur 13 vjeç dhe e kemi rritur bashkë. Kur i rrit, me kunatin hapëm një biznes, e punonim bashkë. I kemi ndarë gjysmë për gjysmë. Ka ecur çdo gjë shumë mirë deri në momentin që u martua. Ndërtesa është dy katëshe. Në katin e parë kemi jetuar unë me bashkëshortin dhe fëmijët dhe në katin e dytë kunati me familjen dhe prindërit. Kemi jetuar kështu deri në vitin 2011.
Në vitin 1999 ka vdekur vjehrri, ai ka bërë një vetëvrasje. Na erdhi çudi sepse ishte çdo gjë mirë. Kishin konflikte ata në familje, por jo nga ekonomia. Pas 9 muajsh që vdiq vjehrri, vjehrra ka ndryshuar testamentin e pronësisë. Ne vërtetë ishim të ndarë por shkonim shumë mirë me njeri-tjetrin. Kafen e pija mëngjes për mëngjes me kunatën, e di gjithë Korça.
Kur u sëmur vjehrra e thirri djalin dhe i tha që ka ndryshuar certifikatën. Pastaj thërret avokati dhe i thotë që do e ndryshoj që mos ta lë djalin në shtëpi dhe të mos i lë në konflikt, por e gjithë kjo me gojë, jo me shkrim.
Ne erdhëm në Tiranë dhe jam kujdesur për vjehrrën e cila ishte e sëmurë sepse kunati kishte biznesin dhe nuk e linte dot. Kunati vinte vetëm në ditën e operacionit. Për gjithçka jemi kujdesur ne.
Kunati pretendon këtë: nëna më ka lënë një testament dhe në bazë të këtij testamenti është e imja dhe ju nuk e kapërceni pragun. Nga 2011 deri tani dera është me kyç. Jetoj në Tiranë me qira. Djali është me qira në Korçë. Unë kërkoj një zgjidhje për këtë problem se nuk i dihet si do shkojnë punët”, tha gruaja në rrëfimin e saj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb