SARANDE-Gjykata e Sarandës ka lëshuar një urdhër mbrojtjeje për një grua nga fshati Lukovë, e cila dhunohej vazhdimisht nga bashkëshorti i saj. Vendimi është dhënë më datë 31 janar të këtij viti nga togat e zeza. Mësohet se prej kohësh, Mjaftime Gockaj rrihej nga burri i saj, Mersin Gockaj, i cili, sipas vendimit të gjykatës, është person i alkoolizuar.

Pasi bashkëshorti e ka përzënë nga banesa, fillimisht, nëna e tre fëmijëve (8, 12 dhe 16 vjeç) ka jetuar te të afërmit e saj në qytetin e Vlorës. Duke qenë se ndihej e kërcënuar dhe nga fakti që fëmijët kishin braktisur procesin mësimor, Mjaftimja i kërkoi gjykatës që, me anë të një urdhri mbrojtjeje, të largojë burrin nga banesa e tyre. Ky vendim u aprovua në favor të së dhunuarës, ndërsa bashkëshorti i saj duhej të qëndronte 300 m larg banesës, siç e parashikon dhe urdhri i mbrojtjes.

Duke iu nënshtruar këtij urdhri, togat e zeza nuk morën në shqyrtim faktin që në të njëjtën çati me ta jetonte edhe 92-vjeçarja Nevrie Gockaj, nëna e Mersin Gockajt. Gjatë marrjes së vendimit në fjalë, mësohet se e moshuara ka qenë e shtruar në spital. Pikërisht disa ditë më parë, 92-vjeçarja ka kërkuar rikthimin në shtëpi, por ka hasur në kundërshtinë e nuses së djalit. Të gjendur përballë kësaj situate, Nevrie Gockaj së bashku me djalin e saj i janë drejtuar sërish gjykatës, kësaj radhe për të kërkuar urdhër mbrojtjeje nga nusja. Ndërkohë, më datë 9 prill, po Gjykata e Sarandës lëshoi një tjetër urdhër mbrojtjeje për të moshuarën, ku parashikohej që nusja nuk duhej të kryente asnjë veprim dhune, fyerjeje apo kërcënimi në drejtim të vjehrrës.

Gjithashtu, gjykata ka detyruar Mjaftime Gockajn që të lejojë 92-vjeçaren që të shkojë në dhomën e saj ku ka banuar dhe të mos i afrohet asaj në një distancë 10 metra. Ndërkohë, në vendim përcaktohet qartë që vjehrra mund të vizitohet nga të afërmit e saj dhe mjeku, por jo nga i biri. Ndërkaq, urdhri që i është referuar Shërbimit Përmbarimor në Sarandë, Komisariatit të Policisë si dhe Komunës Lukovë, është i vlefshëm deri më datë 25 prill. Kjo pasi do të bëhet një tjetër seancë, për vërtetimin e urdhërit të mbrojtjes.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: