MAQEDONI

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski para se të arratisej për në Hungari, ku kërkoi azil politik u ka dërguar letër eurokomisionerit për zgjerim Johannes Hahn, përfaqësueses për politikë të jashtme e BE-së Federica Mogherini, komisionerit për të drejtat e njeriut në Këshillin Evropian Dunja Mijatovic si dhe kryetarit të Partisë Popullore Evropiane, Jossef Doll.

Gruevski në letër shkruan se dënimi prej dy vitesh burg i është shqiptuar nga fakte të fabrikuara. Ai ka kërkuar që BE ose institucione tjera evropiane të angazhojnë disa gjykatës të njohur nga vendet anëtare të BE-së që do të merren me akuzën ndaj tij për rastin “Tanku”.

“Të marrin pjesë në disa seanca dhe në fund të përgjigjen nëse në shtetet e tyre, me dëshmi të tilla, me akuza të tilla, do t’i pranonin ose hidhnin dhe pse. Kjo pyetje kuptohet nuk do ta ndryshojë vendimin e Gjykatës Lokale, por do të përgjigjet në pyetjen lidhur me përndjekjen politike në Maqedoni”, ka shkruar Gruevski.

Në letër Gruevski ka prekur edhe një propozim tjetër, nëse për Hahn, Mogherinin, Mijatoviqin dhe Dollin nuk pranohet propozimi i parë. Ai ka kërkuar që Bashkimi Evropian të dërgojë mision në Maqedoni.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: