Ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ka dalë nga Shqipëria me makinën e ambasadës hungareze në Tiranë. Burime policore thanë për “Balkanweb” se ish-kreu i qeverisë maqedonase ka kaluar nga pika doganore e Hanit të Hotit, në datë 11 nëntor. Po kështu zbulohet dhe itinerari që ka ndjekur Gruevski.

Mësohet se Gruevski ka udhëtuar nga Hani i Hotit për në Mal të Zi me një makinë të ambasadës hungareze, me targa CD1013A. Ish-kryeministri maqedonas ka kaluar në orën 11:00 në pikën doganore për në drejtim të Malit të Zi. Në makinë bashkë me të ndodheshin shoferi i ambasadës hungareze në Tiranë si edhe një punonjës i saj. Dy punonjësit e ambasadës kanë paraqitur pranë policisë kufitare, pasaportë diplomatike, ndersa ish-kryeministri Gruevksi ka kaluar me kartën e identitetit. Mesohet se makina me targa diplomatike është kthyer në Shqipëri rreth 45 minuta më vonë, por pa Gruevskin.

Sakaq nuk dihen ende se nga cila pikë doganore ish kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevksi ka hyrë në vendin tonë, cështje e cila po hetohet nga policia shqiptare. Theksohet fakti se Nikola Gruevski u shpall në kërkim ndërkombëtar më 13 nëntor.

Përmes një statusi në facebook, ai njoftoi se ndodhej në Budapest ku ka kërkuar strehim politik nga autoritetet hungareze atje. Mbi Gruevskin rëndojnë akuzat e shpërdorimit të detyrës gjatë blerjes për nevojat e qeverisë të një “Mercedesi” në vlerë rreth 600 mijë euro.

ITINERARI
Gazetarja Dorjana Bezat duke iu referuar burimeve nga policia raportoi për “BalkanWeb” se Gruevski ka hyre në Shqipëri në menyrë ilegale, pra pa u regjistruar. Ndërkohë nga policia po kontrollohen kamerat e pikave kufitare për të kuptuar nga ka hyrë.

Në dalje te pika e kalimit kufitar të Hanit të Hotit polici i kufirit nuk i ka kërkuar llogari se pse Gruevski nuk kishte vulë hyrjeje, pasi ka kaluar me makinë diplomatike ku shoqërohej nga 2 persona me pasaportë diplomatike dhe në raste të tilla ndiqet procedurë e thjeshtuar. Interpol Maqedonia e ka shpallur në kërkim Gruevskin më 13 nentor ora 19:35. Pra në datën 11 kur ai ka kaluar në Pikën e Kalimit Kufitare të Hanit të Hotit nuk dilte në kerkim në sistem. Itinerari i tij dyshohet se ka qenë Mali i Zi- Serbi- Bullgari

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb