Që pas vendimit të kompanive të medias sociale për të forcuar politikat mbi postimet pas masakrës në dy xhami të Zelandës së Re, disa grupe ekstremiste po fshihen tani në skajet e errëta të internetit. Studiuesit thonë se kjo i ka shndërruar platformat ruse të medias sociale si VKontakte, ose VK, në strehë të sigurta për një numër edhe më të madh nacionalistësh të bardhë, të cilët përpiqen të komunikojnë përmes tyre me anëtarët dhe të përhapin mesazhet. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Anush Avetisyan sjell hollësi:

Nën flamujt e Konfederatës amerikane, me parulla anti-semite dhe me kryqin e thyer, nacionalistët e bardhë përpiqen të përhapin mesazhin e urrejtjes në variantin rus të Facebook-ut, platformën e medias sociale VKontakte, apo VK. Ata gjetën strehë në VK pasi Twitter-i dhe Facebook-u filluan t’u bllokojnë llogaritë në 2017.

“Ne të alternativës së djathtë flasim për situatën ku ndodhemi, për faktin se jemi të shtypur, se na mohohet pjesëmarrja në platformat dixhitale. Ende nuk kemi filluar të vëmë thundrën tonë të hekurt, por po vjen dita,” thotë Chard Bagwell, pasues i nacionalizmit të bardhë.

Analistët thonë se këta ekstremistë po përdorin platforma alternative të medias sociale pasi gjejnë aty kontrolle më të buta.

“Kur njerëzit përjashtohen nga një platformë për opinionet e tyre politike, ata shpesh gjejnë një platformë tjetër që ka kushte më të buta për përdoruesit. Prandaj njerëzit që largohen nga Facebook-u apo Twitter-i zgjedhin platforma si Gab apo Telegram ose VK. Por përjashtimi nga këta platforma u mohon atyre përhapjen e mesazhit tek të tjerët, pasi tani ata komunikojnë vetëm me grupin e tyre, jo më me publikun e gjerë,” thotë Brittan Heller, studiuese në Universitetin e Harvardit.

Supermacistët e bardhë kanë një audiencë relativisht të vogël në VK. Për shembull, Michael Hill, i cili është emër i njohur ndër supremacistët e bardhë amerikanë, ka vetëm 151 “pasues” në VK dhe 434 “miq”. Grupi i tij që u dëbua nga Facebook-u për mesazhet anti-semite, islamofobike, anti-imigracion dhe pro-skllavërisë synon të krijojë “një atdhe të pavarur të përbërë nga ish-shtetet skllavopronare të jugut amerikan”.

“Në VK veprojnë vetëm një pjesë e grupeve supremaciste amerikane. Këto grupe, pasi dëbohen nga Facebook-u apo Twitter-i vazhdojnë përpjekjet. Tani ata po përpiqen të gjejnë mënyra për të përhapur pikëpamjet e tyre ekstremiste dhe për të komunikuar mes tyre. VK ua ka lejuar këtë aktivitet,” thotë Marilyn Mayo e Ligës Kundër Shpifjeve.

Përmes një deklarate, një administrator i VKontakte thotë se postimet ekstremiste janë hequr nga platforma.

“VKontakte kundërshton me forcë nxitjen e urrejtjes, ekstremizmin apo përmbajtje të paligjshme. Ne i heqim këto postime dhe bllokojmë grupet dhe llogaritë që i përhapin brenda disa minutash pasi marrim ankesa,” thuhet në deklaratë.

Disa llogari ekstremiste janë bllokuar, por të tjera vazhdojnë të përhapin mesazhin e urrejtjes dhe përfshijnë thirrje për dhunë, madje edhe vrasje. Nacionalistët e bardhë po ashtu përfshijnë në llogaritë e tyre lajme nga media shtetërore ruse, në anglisht dhe rusisht.

Ish-supremacistja e bardhë Shannon Martinez, e cila punon për të larguar anëtarë të këtyre grupeve nga idetë radikale, thotë se për racistët këto rrjete janë një burim fuqizimi:

“Ne kërkonim të gjenim një mënyrë që të ndjeheshim të fuqishëm. Jetët tona ishin aq të rrënuara saqë mënyra më e kollajshme dhe më i sigurtë për ne ishte duke ulur të tjerët, duke përdorur dhunën si mjet fuqizimi. Për t’u larguar nga kjo ideologji kërkohet integrimi i këtyre individëve që urrejtjen për veten e përcjellin tek të tjerët; duhet t’i nxisim të kuptojnë se bëhet fjalë për njerëz, jo thjesht për ide,” thotë zonja Martinez.

Ajo shton se bllokimi i llogarive në median sociale është një mjet efektiv ndaj mesazhit ekstremist. Por ekzistenca e platformave alternative u shërben grupeve të ekstremit të djathtë të forcojnë dhe të thellojnë përkushtimin ndaj ideologjisë së tyre ekstremiste.//VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb