TIRANË – Zbulohen emrat e tre anëtarëve të tjerë të grupit të grabitësve “Babagjyshët“, të cilët ishin shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit, pas arrestimit të tre anëtarëve, mbrëmjen e së mërkurrës.

Siç njofton gazetari Spartak Koka, tre personat në kërkim janë:

Fatmir Gjin Pjetri, i datëlindjes 30.05.1986, banues në Tiranë, aktualisht i shpallur në kerkim;

Dritan Pashko Kola, i datëlindjes 15.12.1978, banues në Shkodër, i dënuar në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë, i shpallur në kërkim. Dritan Kola është vëllai i Marjan Kolës, i cili u vra më 21 korrik 2013 nga policia greke pas arratisjes nga burgu i Trikallës në Greqi;

Saimir Petrit Gjon Kala i datëlindjes 17.01.1983, banues në Kurbin, i shpallur në kërkim.

Ishte 28-vjeçari Ilir Kupa, i njohur për arratisjen spektakolare nga burgu i Trikallas në Greqi, që e drejtonte këtë grup të mirëorganizuar kriminal, i cili ka kryer grabitje të shumta në Shqipëri dhe jashtë vendit. Një vit pas supergrabitjes në një prej qendrave më të njohura tregtare në Tiranë, policia ka mundur të arrestojë tre prej “babagjyshëve” grabitës që u futën të armatosur në një argjendari dhe arritën të merrnin një sasi të konsiderueshme ari dhe argjendi.

Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se në kuadër të operacionit të koduar “Babagjyshët” kanë rënë në pranga tre persona, dhe janë shpallur në kërkim tre të tjerë. Sipas policisë, kreu i grupit kriminal mendohet të jetë shtetasi Ilir Kupa, i arratisur nga burgu i Trikallas në Greqi, në mars të vitit 2013. Ilir Kupa, i cili tashmë ndodhet pas hekurave, mendohet të jetë edhe ideatori i grabitjes spektakolare në Tiranë.

(ar.sh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb