Grupi Houthi i Jemenit pretendoi sot se ka goditur një objektiv ushtarak në Jaffa në Izraelin qendror me një raketë të re balistike “hipersonike”, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi ushtarak Houthive, Yahya Saree, tha se raketa përshkoi një distancë prej 2.040 kilometrash dhe goditi me sukses objektivin e saj, ndërsa mbrojtja ajrore izraelite nuk ka arritur ta kapte atë.

“Pengesat gjeografike, agresioni SHBA-Britani dhe sistemet e spiunazhit dhe përgjimit nuk do ta pengojnë Jemenin të mbështesë Palestinën”, shtoi ai.

Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm të Izraelit mbi pretendimin e grupit Houthi, por më herët forcat ajrore izraelite thuhet të kenë deklaruar se do të hetojnë se si raketa arriti të udhëtonte kaq larg pa u kapur.

Sulmi erdhi disa orë pasi të paktën nëntë persona u plagosën pasi një raketë balistike nga Jemeni ra në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar Ben Gurion në Tel Aviv herët sot.

Sipas të përditshmes Haaretz, mbetjet nga raketat interceptuese ranë në një stacion treni në periferi të qytetit Modi’in në Izraelin qendror, duke shkaktuar dëme. Një zjarr shpërtheu gjithashtu në një zonë të hapur në Kfar Daniel në Izraelin qendror për shkak të rënies së mbeturinave shtesë.

Grupi Houthi i Jemenit ka vënë në shënjestër anijet që janë në pronësi izraelite, me flamur, të operuara ose që shkojnë në portet izraelite në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit me raketa dhe dronë në solidaritet me Gazën, e cila ka qenë nën sulme shkatërruese izraelite që nga tetori i vitit të kaluar.

Me fillimin e sulmeve ajrore hakmarrëse të SHBA-së dhe Britanisë kundër lokacioneve të Houthive brenda Jemenit, grupi ka deklaruar se i konsiderojnë të gjitha anijet amerikane dhe britanike objektiva ushtarake.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: