TIRANË- Policia e Shtetit ka njoftuar sot se pas një hetimi intensiv dhe disa mujor është bërë i mundur zbulimi i një grupi të strukturuar kriminal me tendencat e vrasjeve me pagesë me armë zjarri dhe vendosjes së lëndëve shpërthyese, eksploziv. Nëndrejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako deklaroi në një konferencë për shtyp se grupi drejtohej nga Admir Tafili, i cili aktualisht ndodhet në burgun e Peqinit, i dënuar përjetë. Çako theksoi se ka prova të forta për të evidentuar veprimtarinë e rrjetit kriminal, i cili po hetohet edhe për ngjarjet e këtij viti, mes tyre edhe shpërthimi me eksploziv në farmacinë e babait të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Admir Tafili, i cili ndodhet në burgun e Peqinit pas dënimit me burgim të përjetshëm ka drejtuar të gjithë aktivitetin e vendosjes së eksplozivëve nga burgu. Grupi kriminal dyshohet të jetë përgjegjës i dhjetëra ngjarjeve, vrasjeve dhe tentativave për vrasje. Çështja e këtij grupi të strukturuar kriminal po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

PJESTARËT E KËTIJ GRUPI KRIMINAL JANË:

  1. 1- Admir Tafili, 39 vjeç, lindur në Shkodër, aktualisht i dënuar me burgim të përjetshëm për veprat penale të vrasjes në rrethana cilësuese dhe armëmbajtjes pa leje, ku vuan dënimin në I.E.V.P Peqin.
  2. 2- Alfred Qefalija, 32 vjeç, lindur e banues në komunën farkë e Vogël Tiranë, arrestuar më datë 11.02.2015.
  3. 3- Kristi Pine, 24 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, i dënuar më parë për “Vjedhje me dhunë”. Arrestuar më datë 16.02.2015.
  4. 4- Aleksandër Gora, 31 vjeç, lindur dhe banues në Buçimas të rrethit Podradec, i dënuar më parë për veprën penale të “Vjedhjes me armë”. Arrestuar më datë 16.02.2015.
  5. 5- A. O., 50 vjeç, banues në Tiranë , i dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “mbajtje dhe trafikim të lëndëve narkotike”, aktualisht i shpallur në kërkim.
  6. 6- Dh. Z., 22 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim.

Nëndrejtori i Policisë theksoi se kjo çështje po hetohet në tërësinë e vetë, qoftë për nxitësit, porositësit, por edhe për persona të tjerë që me veprimin apo mosveprimin e tyre janë përfshirë.

Pas një hetimi intensiv dhe disa mujor të Departamentit për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda Tiranë dhe Drejtoritë e Policisë në Qarqe, Tiranë ,Elbasan, Korçë dhe Shkodër, në lidhje me disa ngjarje të rënda të ndodhura në qytetin e Tiranës dhe disa qytete të tjera gjatë vitit 2014  si dhe në muajit e parë të viti 2015,  më datë 16.02.2015, është bërë e mundur zbulimi dhe dokumentimi i një grupi të strukturuar kriminal, me tendencat e vrasjeve me pagesë me armë zjarri dhe vendosje të lëndëve shpërthyese, eksploziv.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se ky grup kriminal i drejtuar nga i dënuari Admir Tafili i cili merrte porosi nga persona të tjerë të interesuar për kryerjen e krimeve, janë autorë të ngjarjeve si më poshtë:

1- Vrasjes me armë zjarri të shtetasit I.M., ngjarje e ndodhur me datë 25.06.2014 në qytetin e Shkodrës në vendin e quajtur “Shtëpia e Mushkonjës”.

2- Vrasjes së mbetur në tentativë të shtetasit E.Ç., ngjarje e ndodhur më datë 05.09.2014 në qytetin e Tiranës në lagjen Shkoze.

3- Vrasjeve të mbetura në tentativë me vendosje lëndë eksplozive të shtetasve A.C., J.C., dhe A.SH., ngjarje e ndodhur më datë 26.02.2014, në Rrugën “Budi”, Tiranë, ku si pasojë e shpërthimit mbetën të plagosur rëndë shtetasit e mësipërm si dhe u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.

4- Vrasjes së mbetur në tentativë për shkak të cilësive të veçanta me vendosje lëndë eksplozive në automjetin e shtetasit A.S, Drejtor i Burgut Fushë-Krujë.

5- Marrje porosi me 25 mijë euro, për vrasjen e shtetasit L.M., ngjarje e ndodhur më datë 18.11.2014,  në qytetin e Durrësit.

6- Marrje porosi me 50 mijë euro, për vrasjen e dy biznesmenëve në qytetin e Pogradecit. (ngjarje e parealizuar).

7- Marrje porosi me 20 mijë Euro, për vrasjen e hasmit të shtetasit Aleksandër Gora, me inicial A.V., (ngjarje e parealizuar).

Nga kontrollet e ambienteve të poseduar nga anëtarët e grupit u gjetën dhe sekuestruan ne cilësinë e provës materiale:

Një armë zjarri model “Scorpions” me 10 fishekë në krehër kalibër 7.65mm.

Një armë zjarri tip pistoletë e markës “Smith: mod 9604 me 5 copë fishekë kalibër 9mm.

Sy silenciator.

6 aparate telefonik celularë, karta SIM

9.000 (nëntëmijë) euro

Një motoçikletë tip skuter Piaggio

Një armë zjarri tip Zastava, mbushur me 15 (pesëmbëdhjete) copë fishekë luftarake të kalibrit 9 mm.

Një armë zjarri tip shot gan.

Një gjerdan fishekësh, material meshini me ngjyrë të zezë dhe tokëz inoksi me ngjyre kafe, ku në të janë te vendosur 9 (nënte) cope fishekë të kalibrit 12 mm të cilët kanë mbishkrimin N 92 special 46 (fishekët janë me kapsollë të paplasur.

Një jelek antiplumb me ngjyre blu dhe te zeze me mbishkrimet përkatëse .

10 (dhjete) fishekë armë gjahu të kalibrit 12 mm, me kapsollë të paplasur me ngjyra të kuqe dhe të zezë.

Një pajisje plastike në formë rrethore me ngjyrë të zezë dhe të kuqe ku kanë dalje dy fije teli përcjellës me ngjyrë të kuqe të zhveshura në skajet e tyre.

Një palë dylbi material plastik me ngjyre të zezë teke.

Një çantë material rrobe me ngjyrë të zezë me mbishkrimet përkatëse.

Një avi në formë pistoletë, me ngjyrë gri me mbishkrimin PEMCO MODEL NOSG-109.

Një motor tip “Skuter” me ngjyrë të zezë pa targa me mbishkrimin TECH FOR FUND, me parafango të thyer.

Karta SIM të kompanive të ndryshme

Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve kanë kaluar Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për veprat “Vrasje me paramendim e kryer ne bashkëpunim”, “Vrasje me paramendim e kryer ne bashkëpunim e mbetur ne tentative”, “Vrasje ne rrethana te tjera cilësuese”  , Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve dhe municionit luftarak”, Grupi i Strukturuar Kriminal” parashikuar nga nenet 78-25, 78-22-25, 79/dh , 278/2/4 dhe 333/a te Kodit Penal.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, vijon puna për dokumentimin e plotë te aktivitetit kriminal të këtij grupi kriminal.

(m.k/BalkanWeb) 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb