Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar ashpër për përplasjen mes institucioneve për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.


Nga Saranda, ku po zhvillon turin “Rrugëtimi për Shqipërinë”, Basha tha se kjo që po ndodh me Gjykatën Kushtetuese është një grusht i pastër institucional, një grusht kushtetues. Sipas tij, qeveria do një Gjykatë Kushtetuese me gjyqtarë që falen natën në Surrel.


“Dhe mesazhi i dytë që dua ta jap nga Saranda, në fakt mund ta jepja nga cilido qytet tjetër dhe nga kryeqyteti, është se për këtë qeveri është jetike, ta ndalë, ta bllokojë ose ta kapë reformën në drejtësi. Këta nuk duan reformë në drejtësi. Këtë nuk duan SPAK. Sepse SPAK-u i pavarur nga politika me prokurorë të kualifikuar, të cilët nuk falën natën në Surrel, është kërcënimi i madh për aferat korruptive. Këta nuk duan Gjykatë Kushtetuese. O ta bllokojnë, o ta kapin, kjo është alternativa e Edi Ramës për Gjykatën Kushtetuese. Sepse një Gjykatë Kushtetuese që nuk falet natën në Surrel, një Gjykatë Kushtetuese që nuk bëhet tenderim me përcaktim nag Ardian Dvorani do të vendosë në mënyrë të pavarur, dhe do ët tregojë atë që treguat ju se 30 qershori ishte një proces fals.


Do ti japë fund ose do të ndalë përpjekjet për të kapur të gjithë pushtetet. Të gjitha i kanë kapur, dhe duan t’i çimentojnë tani. Pra, nuk ka faktorë më të rëndësishëm të interesuar për një drejtësi të pakapur, për një reformë në drejtësi që të ecë përpara siç e parashikon Kushtetuta, dhe jo siç e parashikon Surreli dhe mercenarët dhe sherbëtorët e Surrelit, por siç e parashikon Kushtetuta. Nuk ka faktor më të interesuar se ne, se Partia Demokratike, opozita. Nuk ka faktorë më të interesuar se ju, se biznesi. Kush më shumë se ju e ndjen në lëkurë barrën e padrejtësisë, faktin që nuk keni një derë ku të përplaseni, faktin që gjykatat administrative nën presionin e ventingut në vend që t’ju japin ju të drejtë sipas ligjit i japin të drejtë qeverisë. Të gjithë e dimë 95% të rasteve që përfundojnë në Gjykatat Administrative i fiton qeveria.
Po përse për këtë u bë reforma në drejtësi?! Më përpara 70% i fitonte privati, tani 95% i fiton qeveria. Pse?! Sepse drejtësia është e kapur. Sepse Edi Rama dhe kjo qeveri kanë vetëm një qëllim, ta kapin ose ta bllokojnë reformën në drejtësi.

Ne nuk mund ta pranojmë këtë. Kjo që po ndodh me Gjykatën Kushtetuese është një grusht i pastër institucional. Është një grusht kushtetues i cili ka për qëllim që në vend që qytetarët të kenë Gjykatën Kushtetuese për të cilën kemi dy vite, tre vite që të merren hapat për të formuar, të kenë një kukull të regjimit.  Mund t’ju duket si një debat juristësh, mund t’ju duket debat i stërholluar, por kastile i bëjnë të stërholluar që një qytetar i thjeshtë të mos e kuptojë, ta humbasn fillin, ta humbasin interesin dhe të thotë: “Kush merret me këtë punë, ja politika na futi prapë në këtë valle”. Prandaj e kanë bërë kaq të komplikuar.

Një qeveri e kapur në afera korruptive, një qeveri që do të grabisë pronat e qytetarëve, siç po bën në Himarë, në Sarandë, kudo në bregdet me koorporatën e investimeve, nuk do Gjykatën Kushtetuese të pavarur. Sepse një Gjykatë Kushtetues e pavarur i thotë “Ndal, këtyre veprimeve”. Se një Prokurori e pavarur e merr të pandehur kryeministrin, kabinetin, të gjithë pushtetin në qoftë se shkelin të drejtat themelore të qytetarëve, biznesit.

Ndaj jemi në një moment deciziv për të ardhmen tonë. Ndaj jam me shpresë se këto janë orët e fundit të një tiranie të një pakice ndaj një shumice. Për këtë ne kemi një vizion vlerash, normash, standardesh europiane, që fillon me një drejtësi të pavarur, me një Gjykatë Kushtetuese të fillojë nga detyra, të jetë një Gjykatë Kushtetuese e pavarur e formuar sipas Kushtetutës. Sepse një Gjykatë Kushtetuese e formuar sipas tekave të qeverisë nuk ka legjitimitet”, deklaroi Basha.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb