17 gjeneralë dhe zyrtarë të lartë ushtarakë të Turqisë u dënuan të enjten me 141 burgime të përjetshme për tentativën për “grusht shteti”, sipas Erdogan të ndodhur tri viteve më parë. Mbi 200 të tjerë do të vuajnë dënimet me burg për dhunën dhe aktet që shkaktuan mbi 250 të vdekur në vend.

Një gjykatë turke dha të enjten verdiktet për personat e përfshirë në tentativën për grusht shteti të vitit 2016.

Procesi gjyqësor ndaj mbi 220 të akuzuarve u mbajt brenda kompleksit masiv të një burgu afër Ankarasë, të ndërtuar posaçërisht për të akomoduar të dyshuarit e ngjarjeve të 15 korrikut të tri viteve më parë.

Të dyshuarit, shumica prej të cilëve po vuajnë dënimet, akuzohen për përdorim dhune me synimin për të rrëzuar pushtetin shtetëror, për vdekjen e rreth 250 personave dhe tentativë-vrasjen e mbi 2.700 të tjerëve.

Ish-komandanti i forcave ajrore të Turqisë dhe ish-asistenti i presidentit Rexhep Taip Erdogan, Akin Ozturk, bashkë me 16 ish-oficerë të lartë të ushtrisë, morën dënimet më të rënda, me nga 141 burgime të përjetshme secili për vrasjen e 139 qytetarëve.

Gjykata urdhëroi prokurorinë që çështja e klerikut mysliman, Fetulla Gylen, dhe e organizatorëve të tjerë të “puçit” ushtarak që janë në kërkim, të gjykohen më vete.

Vetë Gylen strehohet si azilant në SHBA prej fundviteve 90 dhe i ka mohuar akuzat kundër tij.

Në muajin prill, presidenti Erdogan tha se një total prej 20 mijë personash janë burgosur apo dënuar për grushtin e shtetit, ndërsa 50 mijë të tjerë janë larguar nga radhët e policisë, ushtrisë, administrata apo sistemi i drejtësisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb