Skuadra e tij ka rimarrë sërish kreun në renditjen e kampionatit anglez, por Pep Guardiola nuk kënaqet me kaq. Duke qëndruar në atë që raportojnë të përditshmet britanike, trajneri i Mançester Sitit kërkon të ketë edhe shërbimet e Kilian Mbape, madje duke nisur që në pjesën e dytë të këtij sezoni.
Sipas mediave në vend, Guardiola i ka kërkuar klubit të blejë sulmuesin francez që në merkaton e janarit. Përgjigja duket se ka qenë pozitive, pasi në skenë kanë dalë edhe shifrat e para financiare. Për Kilian Mbape, Mançester Siti është gati të paguajë 200 milion euro.
Një shumë spektakolare që prek sedrën e vetë sulmuesit, ndërsa trondit edhe bindjen e Paris SG për të ndërtuar të ardhmen pikërisht te Mbape. Po ashtu, kampionët francezë duhet t’i bëjnë llogaritë edhe me Fair-Play Financiar. UEFA ka rinisur hetimet dhe penalizimet për klubin parizien duken në horizont.
Për këtë arsye, shitja e Kilian Mbape mund të ishte edhe një shpëtim për të kaluar këtë situatë.
(n.m/BalkanWeb)