TIRANE- Trajneri i Tiranës Gugash Magani ka reaguar sot pas vendimit të Komisionit të Disiplinës. Magani e ka quajtur të njëanshëm vendimin e komisionit dhe ka deklaruar se do të ndikojë në garën për kampion.
“Vendimi i Komisionit të Disiplinës ishte i njëanshëm dhe do të ndikojë në garën për kampion. Derbi pa tifozët e Tiranës është një derbi pa ngjyra. Do të luftojmë në Apel për të ulur dënimin”, është shprehur Magani.

Edhe kapiteni i Tiranës Ervin Bulku ka qenë në të njëjtën linjë me trajnerin dhe ka deklaruar se dënimi kolektiv është i padrejtë. “Të ndëshkohen përgjegjësit. Dënimi kolektiv është i padrejtë. Është e vështirë të luash pa tifozë”, është shprehur Bulku.

Komisioni i Disiplinës vendosi të mërkurën të dënojë me 6 ndeshje pa tifozë jashtë fushe Tiranën për shkak të incidenteve që ndodhën mes dy tifozerive dhe shkatërrimit të stadiumit “Elbasan Arena” fundjavën e kaluar. Ky dënim i bashkohet pjesës së mbetur të dënimit të parë, që erdhi pas dhunës në “Loro Boriçi” në fazën e parë. Po ashtu, klubi bardheblu është gjobitur me 2 milionë lekë gjobë.

Dy klubet, Elbasani dhe Tirana, ngarkohen të zhdëmtojnë gjithë dënim financiar të shkaktuar në stadiumin “Elbasan Arena” nga tifozët. Tirana, njëherazi, nuk ka të drejtë ta konvertojë dënimin me para. Dënim ka edhe për Elbasanin. Verdheblutë duhet të luajnë 6 ndeshje pa tifozë në stadiumin e vet, ndërsa gjobitet edhe me 2 milionë lekë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: