Nga: FATMIRA NIKOLLI*

TIRANE – Gratë dhe kalorësit, armët, dashunitë/ Sjelljet këndoj, dhe veprat guximtare/ që ngjanë kur detin afrikan nji ditë/ Mauret kaluen e Francën damtuen fare/ mllefin rinor tue ndjekë edhe furitë/e mbretit Agramant, që u mburr n’e parë/ për vdekje të Trojanit me marrë hak/mbi mbretin Karl e perandor romak… Këto vargje janë shkëputur nga “Orlando i çmendun”, poema e poetit të njohur italian, Ludovico Ariosto. E sjellë në shqipen gege nga Guljem Deda, ajo u shpall dje ‘Vepra më e mirë e përkthyer për vitin 2013’ (me vlerë 300 000 Lekë). Vepra ka edhe një tjetër veçanti: shqipërimi i saj ka nisur në burg, ndërsa vargjet e fundit kanë marrë kuptim në gjuhën tonë ndërsa përkthyesi ishte në internim.
Me një ceremoni të thjeshtë, Ministria e Kulturës ndau dje çmimet kombëtare të letërsisë, të cilat, prej këtij viti, do jenë vetëm dy. I pari për përkthimin dhe i dyti, ‘Vepra më e mirë letrare për vitin 2013’ (me vlerë 500 000 Lekë), çmim i cili i shkoi Thanas Medit për romanin “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”. Në emër të jurisë (pa kryetar), që përbëhej nga Brikena Çabej, Saverina Pasho, Rita Petro, Ridvan Dibra dhe Ben Andoni, foli ky i fundit. Andoni tha se u mendua që të përzgjidheshin një numër krijimesh dhe përkthimesh autorët e të cilëve kishin sjellë risi në krijimtarinë e tyre apo në zgjidhjen e detyrave të vështira të përkthimit. “Juria mbeti mes disa emrave, që ishin respektivisht Thanas Medi, Shkëlqim Çela, Albana Shala, Flutura Açka, Azem Qazimi dhe Bashkim Shehu. Kurse në përkthim, u diskutuan emra si Arben Dedja, Zekaj, Cani, Omari, deri tek ‘Orlandi i Çmendun’ – sjellë nga Guljem Deda, dhe “Bretkosa”, e Mo Janit, ardhur nga origjinali prej Iljaz Spahiut”. Ndërsa shprehu keqardhje që çmimi akordohet një i vetëm për secilën kategori dhe zgjedhja, tek e fundit, i mbetet votimit të ftohtë.
Pas Andonit, fjalën e mori ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila kurseu fjalimet standarde të ish-ministrave të Kulturës, të cilët, vit pas viti përsërisnin se, “edhe ata, tani po e merrnin vesh emrin e fituesve”. Kumbaro, shënoi se i kishte mësuar një ditë më parë emrat e fituesve, deklaroi se nuk e njihte Thanas Medin, por vlerësoi nga ana tjetër, përkthyesin Deda (ndarë nga jeta në fillimet e viteve 1990).
Kumbaro, vlerësoi jurinë e ngritur prej ministrisë që ajo drejton (siç ka bërë çdo ministër tjetër), e cilësoi të paanshme dhe të pandikueshme (siç ka bërë çdo ish-ministër tjetër) e madje ia mbërriti të thoshte se ka muaj (prej qershorit) pa i takuar (plus-minus siç kanë thënë shumë ministra). “Lexuesi kërkon edhe të orientohet në leximet e tij, të edukohet në mënyrë të besueshme, profesionale, cilësore e pa zallamahi, pa bujë, pa thashetheme, çka një juri e vërtetë, e paanshme, e qetë dhe e besueshme e bën me pasion”, – tha Kumbaro.
E, megjithëse u shpreh se nuk e njeh Medin, pra fituesin e madh, e cilësoi lumturi letrare çmimin e fituar prej tij. “U përpoqa ta shfletoj në 24 orët e fundit, duke ndjerë në ajër tharmin e një letërsie të veçantë, të munguar dhe të mbushur me ethe njerëzore e me drama kolektive, me larmi jetësh kulturore e historike. Fate njerëzore dhe diversitet kulturor, nga ato që i mbartim me vete si breshka zhguallin e vet, si vllehët kasollet e tyre! Ky roman i shkruar mbi faqen e bardhë të harresës, është një histori me aromë vllehe, lëng toke dhe damarë burri e gruaje plot pasion”, – tha ministrja. Dhe vijmë tek fusha ku Kumbaro është kompetente, përkthimi; “Orlandi i çmendun” i Ariosto-s vjen në shqip nga Guljem Deda. Me të drejtë, ajo e cilësoi Dedën, përkthyes të një shkolle të veçantë përkthimi! “Ajo e kampeve të internimit dhe e burgut të lirisë, prej ku dolën Pashk Gjeçi, Henrik Lacaj, Mark Dema e të tjerë… Veç përkthimi ishte shpëtimi i shpirtit e i zemrës, si një mundësi arratie në të tjera vise e qytetërime. Por edhe si një mënyrë komunikimi të tërthortë me atë kohë të çmendur, së cilës nuk i foli dot me zë të lartë, sepse ia mbyllën gojën me pranga”, – tha Kumbaro.
Dy vepra, dy histori
“Orlandi i çmendun”, nisi të vijë në shqipe në një prej qelive të burgut të Kuçit në Vlorë. Guljem Deda, i vlerësuar në muajin qershor me “Çmimin special për përkthimin” nga Akademia “Kult”, merr vlerësimin e dytë brenda vitit. Në fakt, në fillim, e vlerësoi ‘privati’, e pas tij, shteti. Poema është botuar nga Instituti i Studimit të Krimit dhe Pasojave të Komunizmit dhe Deda ka kaluar rreth dy dekada të jetës së tij duke u marrë me këtë vepër. I nisur në burg e i përfunduar në internim, kur kapakët e fletores ku Deda shkruante u mbyllën, ai jetonte në një kooperativë të humbur të Myzeqesë, në fshatin Ndernenas, ku qëndroi 24 vjet. Atje, ai e kaloi kohën duke shkruar vargje e duke punuar në parcelat e misrit. Qe në një kasolle të asaj kooperative të rëndomtë që Guljem Deda do të përfundonte një nga përkthimet më të rëndësishme të bëra për letërsinë shqipe. Me shkrim dore, ai renditi poemën në katër vëllime prej 400 faqesh, me 40 mijë vargje në dy mijë oktava me rimë, një kryevepër e letërsisë italiane dhe botërore.
Romani i Thanas Medit “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, dhe iu kushtohet jetës së vllehëve. Për të, Miho Gjini ka shkruar “Mu shpalos përpara jeta e vllehëve, e këtyre njerëzve endacakë, me “shtëpinë mbi kurriz të mushkës”! Ishte fjala e një njohësi të thellë të këtij populli “rrënjëshkulur”, për ata njerëz që s’i mban dot vendi në një vend e që janë kurdoherë në ecje, si puna e breshkës, e cila “vete nga vete dhe e merr shtëpinë me vete…”. Aty do të mësoja se, edhe këta endacakë kanë individualitetin e tyre, me tiparet, zakonet, psikologjinë, këngët, kishat, dashurinë dhe vdekjen, si të gjithë njerëzit që i vërtit GLOBI…”

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: