Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se vullneti politik i botës për të luftuar ndryshimet klimatike është zbehur që nga një konferencë e vitit 2015, që është mbajtur në Paris dhe që ka përcaktuar qëllime ambicioze për reduktimin e emetimeve të gazrave të karbonit.

Duke folur në Katovice të Polonisë, në fillim të një samiti dyjavor për klimën, Guterres tha se “realiteti i ndryshimeve klimatike globale është më i keq sesa që pritej” dhe se “vullneti politik pas Parisit është relativisht i zbehur”.

Në Konferencën e Parisit është përcaktuar si synim mbajtja e ngrohjes globale nën 2 gradë Celsius.

Por, një studim i ri i prezantuar në takimin në Kotovice, thotë se vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për t’u tërhequr nga Marrëveshja e Parisit për Klimën është duke i kufizuar përpjekjet globale për të ulur emetimet e karbonit.

Studimi i Institutit për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare thotë se fjalët dhe veprat e Trumpit po i shkaktojnë “dëme të vërteta” Marrëveshjes së Parisit.

Ai konstaton se vendimi i Trumpit për t’u tërhequr nga Marrëveshja e Parisit ka krijuar arsyetim politik për vendet e tjera, për t’i ngadalësuar përpjekjet e tyre drejt përmbushjes së objektivave për reduktimin e emetimeve.

Banka Botërore njoftoi të hënën se do të investojë rreth 200 miliardë dollarë nga viti 2021 deri më 2025, për të ndihmuar luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: