TIRANE- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave me rastin e festave të fundvitit së bashku me drejtuesit e institucioneve kryesore të sistemit financiar të vendit.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse të mbajtur me këtë rast, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, prezantoi zhvillimet e ekonomisë botërore, ato të ekonomisë sone, si dhe ecurinë e sistemit bankar së bashku me sfidat me të cilat është përballur gjatë vitit 2016.

Guvernatori Sejko u shpreh se gjatë vitit 2016, sektori bankar ka vijuar të zgjerojë aktivitetin e tij, i karakterizuar nga një nivel i kënaqshëm kapitalizimi, gjendje të shëndetshme financiare dhe rezultat pozitiv.

“Nivelet e ulëta të normave të interesit, si dhe një sistem bankar likuid dhe i mirëkapitalizuar, janë premisa pozitive për rritjen e kredisë dhe për financimin e rritjes ekonomike të vendit. Banka e Shqipërisë gjykon se zbatimi i plotë dhe në kohë i programit ndërinstitucional për lehtësimin e kredive me probleme do të jetë një ndihmë e madhe për përmirësimin e ambientit financiar në vend”. – tha Guvernatori.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko vuri në dukje se viti që po hyjmë, do të jetë përsëri sfidues pasi me gjithë arritjet e vitit 2016, situata globale vazhdon të jetë komplekse. Nga kjo pikë vështrimi, ai veçoi rolin e rëndësishëm të drejtuesve të sistemit bankar të vendit si ndërmjetësues dhe furnizues të ekonomisë me para.

Guvernatori Sejko përcolli mesazhin se edhe gjatë vitit 2017, Banka e Shqipërisë do të ruajë një komunikim të rregullt me bankat tregtare, si një element thelbësor që ndihmon në identifikimin e problemeve dhe përmirëson zbatueshmërinë e kuadrit ligjor për kapërcimin e tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: