TIRANE– Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko gjatë një deklarate për mediat ka bërë një përmbledhje të ekonomisë si dhe rezultate e arritura gjatë këtij viti. Sejko u shpreh se gjatë vitit 2016 ekonomia e vendit ka pasur shenja përmirësimi, ndërsa është ulur niveli i borxhit publik. Sejko u shpreh se politikat monetare kanë ndikuar në rezultatet e një zhvillimi ekonomik, ndërsa theksoi se dhe për këtë vit norma bazë e interesit nuk do të ndryshojë, por do jetë e njëjtë 1.25%.

”Përditësimi i analizës dhe parashikimeve sugjeron se ekonomia shqiptare do të vazhdojë të shënojë përmirësim në horizontin afatmesëm. Në përputhje me këto parashikime, aktiviteti ekonomik pritet të kthehet në ekuilibër brenda vitit 2017 dhe inflacioni pritet të kthehet në objektiv brenda vitit 2018.

Inflacioni shënoi vlerën 1.9% në muajin nëntor, duke u rritur me 0.4 pikë përqindjeje kundrejt nivelit të muajit paraardhës. Rritja e inflacionit total në këtë muaj erdhi si pasojë e rritjes së inflacionit të artikujve ushqimorë dhe të naftës, ndërkohë që inflacioni i artikujve të tjerë të shportës ka mbetur relativisht i pandryshuar.

Tendenca rritëse e inflacionit gjatë vitit 2016 është diktuar, në masën më të madhe, nga forcimi i presioneve të brendshme inflacioniste, në përgjigje të rritjes së kërkesës agregate dhe përmirësimit të shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve. Shfrytëzimi më i mirë i kapaciteteve në tregjet e punës dhe të kapitalit ka krijuar kushte për rritjen e punësimit dhe të pagave, si dhe ka ndihmuar në përmirësimin e marzheve të operimit të bizneseve. Këto tendenca janë reflektuar në rritjen e vazhdueshme të inflacionit bazë.

Paralelisht me to, rritja e inflacionit është mbështetur edhe nga dobësimi i presioneve të huaja dezinflacioniste si dhe nga tendenca rritëse e pritjeve për inflacionin.

Informacioni i ri mbi aktivitetin ekonomik është pozitiv. Rritja e ekonomisë vlerësohet të jetë forcuar disi në gjysmën e dytë të vitit 2016, pas rritjes me 3.1% në gjysmën e parë. Kjo rritje është ushqyer nga gjallërimi i konsumit dhe i investimeve private, të mbështetur nga rritja e pagave dhe e punësimit, nga përmirësimi i besimit, si dhe nga kushtet e favorshme të financimit. Aktiviteti ekonomik në gjysmën e dytë të vitit është ndihmuar edhe nga përshpejtimi i ritmit të realizimit të shpenzimeve buxhetore dhe nga rritja e kërkesës së huaj në sektorin e turizmit.

Banka e Shqipërisë pret një përmirësim të mëtejshëm të rritjes ekonomike gjatë dy viteve në vazhdim. Motori kryesor i rritjes do të vazhdojë të jetë gjallërimi i kërkesës private, ndërkohë që politika fiskale do të vazhdojë të mbetet në kahun konsolidues dhe ambienti i jashtëm do të vazhdojë të karakterizohet nga dobësi dhe pasiguri.

Në linjë me rikuperimin e aktivitetit ekonomik, si dhe i mbështetur nga reduktimi i pritur presioneve të huaja dezinflacioniste, inflacioni parashikohet të shënojë rritje progresive dhe të kthehet në objektiv brenda vitit 2018.

Kjo tablo zhvillimesh do të ndihmohet nga kombinimi i një politike monetare stimuluese me një politikë fiskale konsoliduese. Ky kombinim adreson në mënyrë optimale objektivat tanë dhe sfidat me të cilat përballemi. Nëpërmjet mbështetjes së kërkesës agregate, politika jonë monetare krijon kushtet e duhura për kthimin e inflacionit në objektiv. Nga ana tjetër, nëpërmjet reduktimit të borxhit publik, kahu konsolidues i politikës fiskale ndihmon në reduktimin e primeve të rrezikut në tregjet financiare dhe rrit hapësirat për kreditimin e sektorit privat.

Stimuli monetar është përcjellë nëpërmjet niveleve të ulëta të normës bazë të interesit, nëpërmjet operacioneve injektuese të likuiditetit, si dhe nëpërmjet orientimit të tregjeve financiare për kursin e ardhshëm të politikës monetare.

Tregjet financiare e kanë reflektuar të plotë këtë stimul. Kostot e financimit në ekonomi janë stabilizuar në nivele të ulëta historike, duke krijuar premisa për nxitjen e konsumit dhe të investimeve. Luhatjet e vërejtura së fundi në normat e interesit të segmenteve të caktuara të tregjeve financiare vlerësohet se pasqyrojnë zhvillime specifike të këtyre tregjeve dhe nuk kanë ndikuar në shtrëngimin e kushteve monetare në ekonomi.

Rikuperimi i kredisë ka vijuar edhe në muajin tetor. Duke përjashtuar efektin e nxjerrjes së kredive të humbura jashtë bilanceve të bankave, portofoli total i kredisë shënoi një rritje vjetore prej 2.9% në muajin tetor. Kjo rritje ka reflektuar tërësisht ecurinë dinamike të kredisë në lekë, portofoli i së cilës regjistroi një normë vjetore rritjeje prej 9.2% në muajin tetor, ndërkohë që aktiviteti kreditues në valutë mbetet i zbehtë.

Banka e Shqipërisë pret një ecuri më të mirë të kredisë gjatë viteve të ardhshme, ndonëse politikat e kreditimit të bankave vazhdojnë të mbeten konservatore. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë vlerëson se përmirësimi i ambientit kreditues – edhe në përgjigje të planit të përbashkët të masave për reduktimin e kredive me probleme – do të mundësojë një reduktim të mëtejshëm të primeve të rrezikut dhe do t’i hapë rrugën një ecurie më të mirë të kreditimit dhe të vetë aktivitetit ekonomik në vend.

Duke gjykuar mbi analizën dhe parashikimet e mësipërme, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për përmbushjen e objektivit tonë të inflacionit.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.25%; Të mbajë të pandryshuar normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, përkatësisht në nivelin 0.25% dhe 2.25%.

Gjithashtu, duke gjykuar mbi informacionin e disponuar, mbi zhvillimet e pritura dhe rreziqet rreth tyre, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se intensiteti i stimulit monetar nuk do të ulet përpara gjashtëmujorit të dytë të vitit 2017′- tha Sejko.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: