Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko organizoi një takim me sistemin bankar me qëllim diskutimin rreth objektivave, ku bankat mund të fokusohen për forcimin e mëtejshëm të sektorit bankar. Temë e diskutimit ishte rritja e kontributit të tyre në zhvillimin e ekonomisë vendase, nëpërmjet financimit me kredi të projekteve eficiente të biznesit dhe familjeve dhe zgjerimit të gamës së produkteve e shërbimeve financiare për publikun.

Diskutimet u ndalën edhe në çështje si nxitja e inovacionit, anëtarësimi në SEPA, bankingu i hapur etj.

Guvernatori Sejko u shpreh se transformimi digjital, nëpërmjet adoptimit të vazhdueshëm të teknologjive inovative, mbetet i një rëndësie të veçantë për sektorin bankar. Bankat duhet të vazhdojnë të investojnë në teknologji, duke theksuar nevojën për zgjidhje bankare digjitale për të përmirësuar përvojën e klientit, për të adresuar sfidat e sigurisë kibernetike dhe rritur besimin e klientëve në shërbimet online.

Duke marrë shkas nga finalizimi i aderimit të Shqipërisë në SEPA (Single Euro Payments Area), si pjesë e grupit të parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor të pranuara në këtë zonë, Guvernatori i bëri thirrje bankave të vijojnë përgatitjet për të respektuar afatet e vendosura, në mënyrë që të realizojnë aderimin në skemat SEPA dhe kryerjen e transaksioneve SEPA për klientët brenda vitit 2025. Sipas Sejkos, “tashmë është koha që sistemi bankar të angazhohet për të qenë plotësisht pjesë e sistemeve SEPA, duke investuar në teknologji, infrastrukturë dhe trajnime të stafit.

Bsh Takimi
Bsh Takimi

Kjo iniciativë pritet të ndikojë gjithashtu drejtpërdrejt në rritjen e kënaqësisë së klientit të sektorit bankar, nëpërmjet rritjes së efikasitetit të pagesave ndërkufitare dhe integrimin në sistemin financiar evropian, çka do të përkthehet në transaksione më të shpejta dhe me kosto më efektive në Euro për klientët”.

Një tjetër çështje e sjellë në vëmendje ishte kreditimi i ekonomisë, zgjerimi i të cilit është përkthyer si një nga burimet kryesore të mbështetjes së ekonomisë me fonde, si dhe si nxitës i rritjes së konsumit dhe të investimeve në vend. Ky sektor, në tërësi, ka shfaqur një maturi të shtuar e përqasje proaktive ndaj kreditimit të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, megjithatë një fokus i veçantë mund të nevojitet për sektorët e nënkredituar dhe kryesisht ai i bizneseve të vogla e të mesme. Guvernatori u ndal dhe në rëndësinë e cilësisë së portofoleve të kreditimit, me qëllim ruajtjen e një sektori bankar sa më të shëndetshëm dhe njëkohësisht mbështetës të zhvillimit ekonomik të vendit.

Ai u shpreh se qasja e kujdesshme e sektorit gjatë proceseve të financimit është një kusht themelor për forcimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar në vend.

Më pas, takimi vijoi me diskutime dhe shkëmbime mendimesh midis të pranishmëve, dhe u vlerësua shumë frytdhënës nga të gjithë pjesëmarrësit, të cilët shprehën angazhimin e tyre për krijimin e një platforme të përbashkët pune për periudhën në vijim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb