Ristrukturimi i sektorit bankar është zhvillim pozitiv që pritet të ndihmojë në rritjen e konkurrencës dhe krijimin e kushteve të nevojshme për nxitjen e ritmit të kreditimit në vend. Këtë e ka bërë të ditur kreu i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore në Uashington.

Sipas Sejkos, ky sektor përshkoi një fazë ristrukturimi me futjen e aktorëve të rinj dhe bashkimin e disa bankave. Ndërsa u ndal te rritja ekonomike, kreu i BSH-së tha se ka vazhduar trendin pozitiv, mbështetur dhe nga politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë.

Në deklaratën për shtyp të Komitetit Monetar Financiar të FMN-së vihet në dukje se: “…Rritja globale po vazhdon, por me një ritëm më të ulët se ai i parashikuar në tetor. Rritja parashikohet të forcohet në vitin 2020, por rreziqet mbeten në kahun e poshtëm. Ato përfshijnë tensione tregtare, pasiguri politike, rreziqe gjeopolitike, dhe një shtrëngim të papritur dhe të theksuar të kushteve financiare, në një mjedis me hapësirë të kufizuar për politikën, nivele të larta historike të borxhit, dhe brishtësi të rritura financiare. Gjithashtu, sfida të tjera vijojnë të mbeten të pranishme që prej një kohe të gjatë.”

Sm19 Imf Governors' Photo

Gjatë pjesëmarrjes në Mbledhjet e Pranverës të FMN dhe BB-së, Guvernatori Sejko zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare.  Veçojmë këtu takimet me përfaqësuesit e FMN:  z. Tao Zhang, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm, Domenico Fanizza, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë, z. Poul Thomsen, Drejtor i Departamentit Evropian, Jan Kees Martijn, Shef i Misionit të FMN për Shqipërinë, përfaqësues të Departamentit të Tregjeve Monetare dhe Kapitale: dhe takimet me përfaqësues nga grupi i BB-së :  me z. Cyril Muller, Zëvendëspresident i Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, zj. Linda Van Gelder, Drejtore Rajonale për Ballkanin Perëndimor me qendër në Vjenë, z. Patrizio Pagano, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë, z. Mario Guadamillas, Menaxher pranë Bankës Botërore për Evropën dhe Rajonin, etj.

Gjatë takimeve në fjalë, Guvernatori Sejko prezantoi zhvillimet më të fundit ekonomike në vend, duke u ndalur në perspektivën e rritjes ekonomike dhe në zhvillimet e sektorit bankar.

Rritja ekonomike e vendit ka vazhduar trendin pozitiv të saj, mbështetur dhe nga politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë. Ky stimul, i transmetuar nëpërmjet normave të ulëta të interesit dhe komunikimit të kahut të ardhshëm të politikës monetare, ka qenë i përshtatshëm për nxitjen e zhvillimit ekonomik, stabilitetin e tregjeve dhe për kthimin e inflacionit në objektiv.

Ruajtja e nivelit të inflacionit në 3% mbetet objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë dhe, në këtë drejtim, Guvernatori Sejko u shpreh se sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, inflacioni pritet të kthehet në objektiv brenda vitit 2020. Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të ndërmarrë gjithë masat e nevojshme për respektimin e objektivit të saj kryesor. Politika monetare do të vijojë të mbetet stimuluese gjatë horizontit afatmesëm, por stimuli monetar do të përshtatet në varësi të faktorëve të rrezikut dhe zhvillimeve në vend.

Img 5377 Copy

Duke u ndalur në zhvillimet e sektorit bankar, Guvernatori Sejko paraqiti masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për të garantuar një sektor bankar të qëndrueshëm, likuid dhe të mirëkapitalizuar. Aktualisht, ky sektor përshkoi një fazë ristrukturimi, me futjen e aktorëve të rinj dhe bashkimin e disa bankave. Guvernatori nënvizoi se këto ndryshime janë kryer në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi dhe Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar të ushtrojë një mbikëqyrje të kujdesshme për një veprimtari të shëndetshme bankare. Ristrukturimi i sektorit bankar është zhvillim pozitiv, i cili pritet të ndihmojë në rritjen e konkurrencës dhe krijimin e kushteve të nevojshme për nxitjen e ritmit të kreditimit në vend.

Në fund të 2018, bilancet e bankave u përmirësuan, veprimtaria bankare u zgjerua, niveli i kredive me probleme u reduktua, kreditimi vijoi trendin e tij rritës. Të gjithë këta tregues kanë kontribuar në rritjen e mëtejshme të aftësisë së sektorit bankar për të mbështetur rritjen ekonomike të vendit dhe për të përballuar rreziqet.

Një pikë tjetër e trajtuar nga Guvernatori ishte roli i Bankës së Shqipërisë si Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, i cili po vijon të marrë trajtë nëpërmjet zhvillimit të kuadrit nënligjor, në zbatim të ligjit “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme”. Më konkretisht, puna e Banka e Shqipërisë në këtë drejtim ka konsistuar në hartimin e planeve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, krijimin e burimeve të reja të financimit për menaxhimin e krizave financiare, si dhe identifikimin e të gjithë elementeve të nevojshme të gatishmërisë për zbutjen e tyre. Të gjithë këto hapa, së bashku me skemën e sigurimit të depozitave, ndihmojnë Bankën e Shqipërisë të forcojë rolin e saj në garantimin e një sistemi financiar të sigurt.

Krahas këtyre fushave, Guvernatori prezantoi dhe kontributin që Banka e Shqipërisë jep si një institucion aktiv në procesin e integrimit evropian të vendit. Ky kontribut i qenësishëm ka ndihmuar përafrimin me standardet evropiane të fushave të lidhura me veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, si dhe ka mbështetur angazhimet e Shqipërisë në kuadër të këtij procesi.

Në përfundim të  takimeve, përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare përgëzuan Bankën e Shqipërisë për kontributin e saj në zhvillimin makroekonomik të vendit dhe stabilitetin financiar të tij. Ata theksuan se Banka e Shqipërisë duhet të vazhdojë hapat e ndërmarrë lidhur me planin e masave për reduktimin e kredive me probleme, nxitjen e kreditimit dhe stimulimin e përdorimit të monedhës kombëtare.

Ambienti i jashtëm mbetet sfidues në kushtet e një rritjeje më të ulët ekonomike globale dhe ngushtimit të hapësirës së kontributit të politikave makroekonomike. Prandaj, vazhdimi i reformave strukturore dhe përmirësimi i klimës së biznesit mbeten kontribuesit kryesorë në perspektivën afatgjatë të vendit.

Gjithashtu, përfaqësuesit e FMN-BB- së theksuan rëndësinë e bashkërendimit në vazhdimësi të politikës monetare me atë fiskale. Ky bashkërendim ndihmon në forcimin e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe rritjen ekonomike afatgjatë.

Nga të dyja palët u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet autoriteteve të Shqipërisë dhe FMN-BB-së. Guvernatori Sejko i shprehu falënderimet e tij përfaqësuesve të këtyre institucioneve, për mbështetjen dhe asistencën e ofruar në vazhdimësi ndaj Bankës së Shqipërisë, dhe institucioneve të tjera në vend. Asistenca dhe ekspertiza e ofruar ndaj Bankës së Shqipërisë ka qenë e rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale të saj dhe përballimin e sfidave të reja.

Në kuadër të këtyre mbledhjeve, Guvernatori Sejko mori pjesë edhe në seancën plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së, Forumin Ekzekutiv të organizuar nga Banka Botërore për politikëbërësit dhe zyrtarët e lartë, si dhe në mbledhjet e Komitetit Drejtues të Iniciativës së Vjenës.

Duke përfituar nga rasti, Guvernatori zhvilloi dhe takime me përfaqësues të ndryshëm të botës financiare dhe akademike, të cilat patën në fokus promovimin e vendit, thithjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin institucional të Bankës së Shqipërisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb