TIRANË – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka deklaruar sot se ekonomia shqiptare pati përmirësim gjatë vitit 2014. Duke iu referuar INSTAT-it, Sejko tha se “ekonomia u rrit me 1.4% gjatë nëntë muajve të parë të vitit. Pritjet tona janë për ritme më të larta rritjeje në tremujorin e katërt, të mbështetura nga stimuli i fortë fiskal i kësaj periudhe.

Dëmet e shkaktuara nga përmbytja në zonën jugore të vendit kanë kërkuar një rishikim të lehtë për poshtë të parashikimeve tona për rritjen ekonomike të vitit 2015. Megjithatë, ndikimi i tyre pritet të jetë i përkohshëm dhe ekonomia projektohet të qëndrojë në një trend rritës në horizontin afatmesëm.”

Ndërsa për vitin 2015, Guvernatori tha se “rritja ekonomike parashikohet të jetë më e lartë se ajo e vitit të shkuar. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të vazhdojë të mbështetet në masën më të madhe nga rritja e sektorit privat, ndërkohë që kërkesa e huaj pritet të ketë një rol të vogël pozitiv dhe shpejtësia e konsolidimit fiskal pritet të vijë në rënie.

Ndonëse në rritje, parashikimet tona sugjerojnë se aktiviteti ekonomik në vend do të mbetet nën nivelin e tij potencial edhe gjatë vitit 2015, duke diktuar një shfrytëzim jo të plotë të kapaciteteve prodhuese. Këto kapacitete të pashfrytëzuara ilustrohen nga nivelet relativisht të larta të papunësisë dhe reflektohen në presione të ulëta për rritjen e pagave dhe të kostove të prodhimit. Paralelisht me to, kërkesa e dobët agregate frenon edhe rritjen e normave të fitimit të biznesit. Në afat të mesëm, përmirësimi i pritur i rritjes ekonomike do të kthejë ekonominë në ekuilibër dhe do të rritë presionet inflacioniste nga ana e kërkesës.”

INFLACIONI, RRITJE 1.3 NGA DHJETORI NE JANAR

“Sipas të dhënave të INSTAT-it, inflacioni vjetor rezultoi 1.3% në muajin janar, duke shënuar rritje në krahasim me vlerën e regjistruar në muajin dhjetor, – tha Guuvernatori. – Luhatjet e inflacionit gjatë dy muajve të fundit janë përcaktuar kryesisht nga luhatjet e çmimeve të ushqimeve. Rënia e inflacionit të ushqimeve në muajin dhjetor dhe rritja e tij në muajin janar është ndikuar nga zhvillimet në tregun ndërkombëtar dhe nga ecuria e prodhimit vendas. Paralelisht me to, efekt rënës në inflacion ka dhënë edhe reduktimi i çmimeve të naftës. Çmimet e kategorive të tjera të mallrave të konsumit nuk kanë shfaqur ndryshime të rëndësishme. Rritja e inflacionit në muajin janar ishte në linjë me parashikimet tona, por inflacioni vazhdon të mbetet ende poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë,” – theksoi Sejko.

VENDIMET E MARRA SOT NGA BANKA E SHQIPERISE

Sot, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, përveç vendimit të politikës monetare për mbajtjen e pandryshuar të normës bazë të interesit në 2%, ndër të tjera analizoi dhe vendosi:

•“Për një ndryshim në rregulloren “Për kapitalin rregullator të bankës”
Në përshtatje edhe me dispozitat e rishikuara të rregullores së Bashkimit Evropian për veprimtarinë e institucioneve të kreditit, ndryshimi synon sigurimin e niveleve të shëndosha të kapitalit rregullator të bankës. Më konkretisht, ky ndryshim siguron raporte më të drejta midis kapitalit të nivelit të parë me kapitalin e nivelit të dytë.

•“Mbi disa ndryshime në rregulloren “Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave”
Ndryshimet e miratuara i krijojnë mundësinë bankave, që duke respektuar nivelin e përcaktuar në ligjin për bankat për ekspozimet maksimale të lejueshme, të përjashtojnë, tërësisht ose pjesërisht, ekspozimet, me jo më shumë se 80% të vlerës së tyre, ndaj institucioneve të mbikëqyrura, të cilave u caktohet një peshë rreziku 20%, në përputhje me rregulloren e mjaftueshmërisë së kapitalit.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb