TIRANE- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko u shpreh se, aksioni që ka ndërmarrë qeveria kundër informalitet, do të japë efekte pozitive në ekonominë e vendit.

Në konferencën për shtyp të mërkurën mbasdite, pas mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës të BSH-së, Guvernatori Sejko tha se, Banka e Shqipërisë pret që ulja e informalitetit të  ndikojë pozitivisht në rritjen e kreditimit dhe gjallërimit të aktivitetit ekonomik në vend.

“Banka e Shqipërisë vlerëson si pozitive rritjen ekonomike në vend dhe është optimiste për rritje pozitive progresive të ekonomisë së vendit në dy vitet e ardhshme”,-tha Sejko.

Në deklaratën për mediat lidhur me politikën monetare të BSH-së, kreu i sistemit bankar Sejko, deklaroi se ” Banka e Shqipërisë parashikon një rritje ekonomike të vendit, duke argumentuar se,  të dhënat e muajit korrik, tregojnë per një rritje të të ardhurave dhe permiresim te klimes se biznesit ne vend “.

Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni për 2015-n të jetë 1.9 përqind, ndërkohë që objektivi prej 3 përqind, parashikohet në vitin 2017. Guvernatori Sejko tha se ka një reduktim me 4.6 përqind të deficitit tregtarë, kryesisht nga eksporti i energjisë.

“Të dhënat fiskale të muajit korrik tregojnë një rritje të lehtë të të ardhurave dhe një ngadalësim të shpenzimeve publike. BSH pret vazhdimin e kahut konsolidues të politikës fiskale edhe në dy vitet e ardhshme”, tha Sejko.

“Ka rritje graduale dhe e gjithë kjo situatë ka ardhur si pasojë e rreziqeve aktuale nga aktorët ndërkombëtarë dhe aktorët lokalë. Jemi në një situatë ekonomike, ku investimet  e huaja dhe të brendshme nuk janë në nivelet e pritshme”, tha ai.

Guvernatori Sejko u shpreh se, Këshilli vendosi të mbajë në të njëjtin nivel normën e interesit, 2 përqind. Ndërsa evidentoi se po ndërmerren politika për nxitjen e investimeve dhe sipërmarrjeve. Guvernatori Sejko tha se vendi ka nevojë për përshpejtim të reformave strukturore në fushën e ekonomisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb