TIRANE- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, mbajtur në datat 17-19 prill në Uashington, SHBA.

E kthyer tashmë në traditë, zhvillimi i këtyre takimeve të përvitshme, ku drejtuesit më të lartë të botës financiare ndërkombëtare diskutojnë rreth zhvillimeve më të fundit në ekonominë botërore dhe masat që duhen ndërmarrë për trajtimin e problemeve, paraqet një rëndësi të veçantë.

Gjatë pjesëmarrjes në këto mbledhje, Guvernatori Sejko, zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitetet më të njohura të fushës financiare ndërkombëtare si dhe me homologë nga vende të ndryshme, si dhe mori pjesë në takimin e Komitetit Monetar e Financiar të FMN-së.

Gjatë këtyre mbledhjeve, nën udhëheqjen e Pier Carlo Padoan, Ministër i Ekonomisë dhe Financave të Italisë, u zhvillua dhe një takim i përbashkët i Ministrave dhe Guvernatorëve të vendeve anëtare të konsistuencës  ku Shqipëria bën pjesë. Në fjalën e tij në këtë takim, Guvernatori Sejko ndau të njëjtat pikëpamje me pjesëmarrësit, në lidhje me zhvillimet në ekonominë evropiane dhe rajonin tonë, ndërkohë që analizoi më në veçanti ndikimet dhe sfidat që ato gjenerojnë për ekonominë shqiptare.

Në këto takime, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Sejko, i njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare, duke u ndalur më tej në problemet dhe perspektivën e rritjes ekonomike, si dhe në zhvillimet e sektorit bankar.

Guvernatori Sejko theksoi se ekonomia shqiptare është në një trajektore pozitive zhvillimi. Rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim dhe balancat kryesore ekonomike do të forcohen gjatë viteve të ardhshme. Ekonomia shqiptare do të përfitojë nga gjallërimi i pritur i aktivitetit ekonomik në Evropë, nga përmirësimi i klimës së biznesit në vend, dhe nga një mbështetje më e mirë me fonde nga sistemi financiar shqiptar. Gjithashtu, Guvernatori Sejko vlerësoi se politikat makroekonomike ruajnë një balancë të drejtë midis stimulit afatshkurtër e afatmesëm të aktivitetit ekonomik dhe stabilitetit afatgjatë të vendit.

Guvernatori Sejko diskutoi me të pranishmit edhe sfidat aktuale me të cilat përballet zhvillimi ekonomik i vendit, të cilat mbeten në vëmendjen e Bankës e Shqipërisë. Ndër to ai veçoi si prioritare sfidën e rigjallërimit të kreditimit në vend dhe nevojën e uljes së kredive me probleme, nëpërmjet masave të koordinuara të Bankës së Shqipërisë dhe autoriteteve të tjera publike.

Gjithashtu, Guvernatori Sejko diskutoi rreth situatës financiare të Greqisë dhe ndikimeve të mundshme në ekonominë shqiptare. Ai theksoi se sistemi bankar shqiptar mbetet likuid, i mirëkapitalizuar dhe i aftë të përballojë edhe goditje të tjera negative nga vendi fqinj, duke garantuar se Banka e Shqipërisë ka marrë dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit.

Nga ana e tyre, zyrtarët e lartë ndërkombëtarë vlerësuan punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit. Duke theksuar se shohin te Banka e Shqipërisë një partner serioz dhe profesional në përmbushjen e detyrave të saj, ata shprehën gatishmërinë për të vazhduar dhe forcuar më tej bashkëpunimin me institucionin tonë.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: