Nga: ERJOLA JATA*
TIRANE – Ndërsa qeveria është shprehur se objektivat e buxhetit 2016 janë realiste, Banka e Shqipërisë kërkon që ky buxhet të jetë në të vërtetë i tillë për vitin e ardhshëm. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko i pranishëm në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, tha se ky buxhet do të ndihmojë qëndrueshmërinë afatgjatë të financave publike. Gjithsesi, Banka Qendrore e sheh si shqetësuese nivelin ende të lartë të borxhit publik, që sipas Sejkos, përbën pengesë për zhvillimin e vendit.

“Sa i takon nivelit të borxhit publik BSH vlerëson se përmbushja e projeksioneve të projekt/buxhetit do të afroj një pikë kthese në trajektoren e borxhit publik. Niveli i parashikuar i borxhit parashikohet të zbresë nga 72.6 % në vitin 2015 në rreth 71 % të PBB në vitin 2016. Megjithatë Banka e Shqipërisë tërheq vëmendje në faktin se ky nivel borxhi mbetet i lartë dhe vazhdon të përbëjë një pengesë në zhvillimin e vendit, reduktimi i qëndrueshëm i tij do të kërkoj ruajtje në mënyrë konseguente të kahut konsolidues të tij”- tha Sejko.

Deputeti demokrat, Ridvan Bode e ka pyetur guvernatorin Sejko për risqet fiskale që mbart vendi ynë, ndërsa kërkoi analizën e Bankës së Shqipërisë për objektivat në mbledhjen e të ardhurave të vitit të ardhshëm.

“Në prezantimin tuaj u duk sikur rritja me 4.9 % e të ardhurave në buxhetin e shtetit për vitin 2016 konsiderohet një “gjë e mire” nga ana juaj pasi mbart risqe të vogla fiskale në të vërtet dhe unë besoj se ju analizat i keni rritja e të ardhurave në të vërtet nuk do të jetë 4.9 por do të jetë mbi 10 %.”- tha Bode.

“Në fakt është një përgjigje që mund ta jepte ministri financave,ajo që ne kemi parë që në rast se të ardhurat buxhetore rezultojnë më të larta se plani të ardhurat shtesë duhet të përdoren për reduktimin e borxhit.”- deklaroi Sejko.

Përsa i përket rritjes ekonomike edhe brenda vetë mazhorancës ka dyshime për një mospërputhje të parashikimeve mes qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë.

“Duhet të jeni shumë të kujdesshëm në mënyrën e trajtimit të rritjes ekonomike është e drejtë e BSH si institucion i pavarur, por institucion shtetëror që gjatë zbatimit të buxhetit të japi opinione mbi ndryshimet që mund të ndodhin në rritjen ekonomike por nuk është e drejtë e BSH që nëse është e rakorduar të vejë në dyshim që në fillim që do jetë 3 apo 3.4 rritja ekonomike”- deklaroi Anastas Angjeli.

“Kemi modelet tona bëjmë analizat. Banka e Shqipërisë është institucion i pavarur ka opinionin e saj”- tha Guvernatori Sejko.

Gjithashtu, guvernatori Gent Sejko lajmëroi aplikimin se shpejti te një formulë e re, për të ulur interesat e kredisë, përveç politikës me normën e interesit të lekut.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb