TIRANE– Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi sot një takim zyrtar në mjediset e Bankës së Shqipërisë me ambasadorët e vendeve të huaja të akredituar në Shqipëri. Ky takim është pjesë e angazhimit të BSH-së për të zhvilluar një komunikim produktiv e konsultativ me grupe të ndryshme interesi, të cilët mund të luajnë një rol pozitiv në të mirë të sistemit financiar në veçanti e ekonomisë shqiptare në tërësi. Përveç ambasadorëve të vendeve të huaja të akredituar në Shqipëri, në këtë takim merrnin pjesë edhe përfaqësuesit rezidentë të institucioneve ndërkombëtare financiare.

Gjatë takimit, fillimisht Guvernatori Sejko bëri një prezantim të situatës makroekonomike të vendit, duke parashtruar se, pavarësisht zhvillimeve të pafavorshme ndërkombëtare, Shqipëria ka shënuar një trend pozitiv në përmirësim të rritjes ekonomike. Stabiliteti makroekonomik i vendit është mbështetur nga harmonizimi i politikës monetare lehtësuese me politikën fiskale konsoliduese. Duke përfituar nga rasti, Guvernatori konfirmoi dhe njëherë angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të mbështetur qëndrueshmërinë financiare të vendit dhe rritjen ekonomike të saj nëpërmjet politikës monetare stimuluese. Në këtë kuadër, ai theksoi si mjaft të rëndësishëm vazhdimin e reformave strukturore, të cilat do të ndikonin në përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit dhe në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të vendit.

Në prezantimin e tij, Guvernatori Sejko u ndal më në veçanti në zhvillimet e sektorit financiar në Shqipëri dhe reformat e ndërmarra për të rritur ndërmjetësimin financiar në ekonomi. Guvernatori u shpreh: “… Shqipëria është një vend me stabilitet financiar, ku një ndër promotorët e këtij zhvillimi ka qenë edhe sektori bankar, i cili ka mbështetur ekonominë dhe biznesin në rrugën e zhvillimit ekonomik. Ky sektor është likuid, i mirëkapitalizuar dhe i aftë të përballojë kërkesat e tregut për fonde. Këto parametra optimalë krijojnë kushtet e nevojshme që ky sektor të mbështesë të gjitha iniciativat e investitorëve të brendshëm dhe të huaj”.

Një çështje me rëndësi të veçantë, e diskutuar gjatë takimit ishte dhe ngjallja e interesit për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe vlerësimi i mundësive për nxitjen e investimeve të huaja direkte në vendin tonë. Në këtë kuadër, Guvernatori Sejko i ftoi përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në vend që këtë tablo të ekonomisë shqiptare ta përcjellin tek investitorët për t’i bindur ata se Shqipëria ofron potenciale të mëdha për investime.

Shqipëria po ecën drejt një modeli të ri zhvillimi të orientuar drejt sektorëve prodhues, të cilët kanë nevojë për mbështetje. “…Ambienti financiar në Shqipëri karakterizohet nga likuiditet i bollshëm, norma të ulëta interesi, kurs i qëndrueshëm këmbimi, standarde të lehtësuara kreditimi; ky ambient rrit perspektivën potenciale ekonomike të vendit tonë …”, u shpreh Guvernatori. Prandaj, është e rëndësishme që ambasadorët e huaj të përdorin influencën e tyre për promovimin e Shqipërisë dhe nxitjen e investimeve të huaja në sistemin financiar shqiptar dhe më gjerë.

Në përfundim, Guvernatori Sejko falënderoi Ambasadorët për mbështetjen që institucionet e vendeve të tyre, institucionet e Bashkimit Evropian, institucionet financiare ndërkombëtare dhe ata personalisht i kanë dhënë Bankës së Shqipërisë në forcimin e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e qeverisjes së brendshme dhe përafrimin me standardet ndërkombëtare të bankingut qendror.

Ambasadorët vlerësuan nismën e Bankës së Shqipërisë për zhvillimin e një takimi të tillë, si mjaft frytdhënëse, për të shkëmbyer ide dhe opinione mbi zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Në përgjigje të interesit të Ambasadorëve, Guvernatori ndau me ta pikëpamjet e tij mbi çështjet e ngritura të tilla si perspektivat e zhvillimit të vendit, pavarësia e bankës qendrore, perceptimi i realitetit ekonomik, ndikimi i reformës në drejtësi dhe përforcimi i zbatimit të ligjit, dhe integriteti i sektorit bankar. Nga ana e tyre, Ambasadorët theksuan se është e rëndësishme që institucionet shqiptare të jenë më vokale në promovimin e Shqipërisë, e cila ka njohur ndryshime të dukshme ndër vite.

Në përfundim të takimit, përfaqësuesit e trupit të huaj diplomatik zhvilluan dhe një vizitë në Muzeun e Bankës së Shqipërisë, ku shprehën vlerësimet më të mira për këtë nismë, si një kontribut i prekshëm në edukimin e qytetarëve dhe zgjerimin e kulturës financiare në Shqipëri.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: