Pritet që të jetë një ndeshje mjaft interesante ajo që do të përjetojmë mbrëmjen e sotme mes Italisë dhe Kroacisë, sfidë që do të vendosë se kush do të jetë në vendin e dytë në grupin B, pas Spanjës, ndoshta edhe të tretët, nëse nuk ka surprizë nga ana e Shqipërisë.

Italia do ta sfidojë Kroacinë, e cila ndodhet në krizë rezultatesh, por jo loje. Skuadra e Zlatko Dalic aktualisht është në vendin e fundit në Grupin B, por kryeson të gjithë grupin në gjuajtje (38) dhe gola të pritur (5.1 xG), pra rastet e krijuara për shënim. Në të vërtetë, duke analizuar statistikat pas dy ditësh të çdo grupi, Kroacia është kombëtarja e dytë në të gjithë Kampionatin Europian, vetëm pas Gjermanisë, për sa i përket mundësive të qarta shënimi të krijuara.

Problemi ishte mos finalizimi i tyre. Edhe ndaj Spanjës, pavarësisht se humbi 3-0, Kroacia krijoi 4 raste të pastra shënimi, 16 goditje, nga të cilat 8 në portë, teksa Spanja e dominoi totalisht Italinë.

Prandaj nuk duhet të mendojmë për Kroacinë në krizë, përkundrazi, Kroacia krijon lojë dhe krijon shumë mundësi për gola. Në vend të kësaj, Kroacia ka një “thembër akili” dhe ajo është mbrojtja e dobët.

Kroacia pësoi 5 gola në dy ndeshje, kundër Spanjës pësoi shumë, por edhe ndaj Shqipërisë mund të kishte pësuar gola akoma më tepër. Me pak fjalë, Kroacia është një kombëtare e rrezikshme në nivel sulmues, por jo dhe në atë mbrojtës. Dhe këtë Italia duhet të përpiqet ta shfrytëzojë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb