Gjykata e Hagës për krimet e luftës, ka anuluar sot lirimin e përkohshëm të ish-liderit të akuzuar serb, Vojisllav Sheshel, i cili ishte liruar me arsyetimin se është i sëmurë me kancer.

Dhoma e Apelit në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish­Jugosllavinë vendosi ditën e hënë se i pandehuri për krime lufte Vojisllav Sheshel, i cili u lirua përkohësisht vitin e kaluar për t’u kuruar nga kanceri, duhet të kthehet në paraburgim.

Sipas Dhomës së Apelit deklaratat e Sheshelit që prej kthimit të tij në Beograd nëntorin e kaluar, duke këmbëngulur se nuk do të kthehej më në gjykatën e mbështetur nga OKB­ja për vendimin e gjyqit ndaj tij për krime lufte, “shkatërruan kushtet thelbësore për lirimin e tij të përkohshëm”.

“Meritat për një lirim të përkohshëm të mëtejshëm mund të diskutohen, por vetëm pasi Shesheli të kthehet në qelitë e paraburgimit të Gjykatës së Hagës”, thuhet në vendimin e saj.

Shesheli reagoi i rebeluar ndaj lajmërimit, duke i sfiduar liderët e Serbisë ta kthejnë atje me dhunë. “Të shohim se si kryeministri serb Aleksandër Vuçiç dhe presidenti Tomislav Nikoliç do të më arrestojnë tani”, tha Sheshel për gazetën “Vecernje Novosti”.

“Policia mund të vijë. Ata i bëjnë arrestimet. Nëse xhandarmëria (oficerët e armatosur të Ministrisë së Brendshme) vjen, ata rrahin njerëz. Do të duhet të mbrohem. Nuk do ta kenë aspak të lehtë të më arrestojnë”, tha ai.

Sheshel tha gjithashtu se “Serbia do të duhet të respektojë procedurën kohore të ekstradimit dhe gjatë kësaj periudhe ai do të përpiqet të vërë në dyshim kërkesën e Hagës për rikthimin e tij në paraburgim, sepse të drejtat e tij në Holandë do të kërcënohen”, pretendoi ai.

Gjykata urdhëroi lirimin e përkohshëm të Sheshelit në nëntor të vitit të kaluar për arsye humanitare, për shkak të gjendjes së tij të dobët shëndetësore, por që kur është kthyer në Beograd, ai ka udhëhequr protesta nacionaliste dhe ka bërë një sërë deklaratash të ashpra që kanë zemëruar viktimat e luftës.

Ai tha menjëherë pas lirimit të tij se nuk do të kthehej vullnetarisht në Gjykatën e Hagës për të dëgjuar vendimin final të gjyqit të tij dhe se do të organizonte protesta kundër çdo përpjekje për ta kthyer atë atje.

“Nuk do të kthehem vullnetarisht në Gjykatën e Hagës”, tha ai. Parlamenti Evropian në nëntor miratoi një rezolutë ku i kërkonte Gjykatës së Hagës të rimendonte vendimin e saj për të liruar Sheshelin.

“Parlamenti Evropian i dënon rëndë deklaratat e ashpra, nxitjen e urrejtjes, inkurajimin e pretendimeve territoriale dhe përpjekjet e tij për të penguar Serbinë nga rruga e saj drejt Evropës”, thuhej në rezolutë.

Edhe Kroacia gjithashtu e ka dënuar lirimin e tij dhe i ka bërë atij thirrje të rikthehet në Hagë. Shesheli ka qenë në paraburgim që prej vitit 2003, kur u dorëzua në mënyrë vullnetare.

Ai po gjykohet për krime lufte në Bosnje, Kroaci dhe Serbi. Vendimi për çështjen e tij ishte programuar të merrej në tetor të vitit 2013, por u shty pasi një nga gjykatësit në gjyqin e tij u hoq nga çështja se dyshohej për njëanshmëri.

Gjykatësi i ri pritet të marrë kohë të paktën deri në fund të qershorit 2015 për t’u familjarizuar me detajet e çështjes, duke shkaktuar kështu edhe një tjetër vonesë në gjyqin maratonë.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: