POLONI

“I gjithë rajoni duhet të ndjekë shembullin e Maqedonisë së Veriut dhe të rrisë ritmin e reformave, veçanërisht të sundimit të ligjit, të drejtat themelore dhe qeverisjen e mirë”.


Kështu u shpreh komisioneri Johannes Hahn në Samitin e Vendeve të Ballkanit Perëndimor në Poznan të Polonisë, teksa më herët shkroi në Twitter se “vendi i tyre është në Bashkimin Europian”.

Në nisjen e Forumit të Shoqërisë Civile dhe Forumit të Biznesit, Hahn shpjegoi se BE-ja tani duhet të përmbushë angazhimet e saj dhe t’i japi meritën vendit që i takon dhe që ka shënuar arritje historike, duke shtuar se dështimi për të shpërbluar përparimin objektiv do të dëmtojnë besueshmërinë e unionit.
“Unë i qëndroj rekomandimit të Komisionit për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe se në tetor Këshilli do të ndjek vlerësimin tonë pozitiv. Të dy vendet kanë bërë reforma, veçanërisht në fushat e përmendura nga konkluzionet e Këshillit të muajit qershor 2018”, tha Hahn në Samit.


Duke folur për IPA III (Instrumentit të Ndihmës së Para-Anëtarësimit), ai vuri në dukje se Ballkani Perëndimor mund të vazhdojë të mbështetet në ndihmën e BE-së për reformat në vitet në vijim.
“Asgjë nuk e tregon më së miri se rritja e propozuar prej 13% e Instrumentit të Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA III). Me Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor, ne kemi në dispozicion një mjet tjetër të fuqishëm për të sjellë investime shumë të nevojshme në rajon”, shtoi Hahn.


Kur është fjala për Axhendën e Lidhjeve, e cila është në qendër të samitit të këtij viti, Hahn tha se ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor tashmë janë të integruar ngushtë me BE-në, duke theksuar se më shumë se 70% e tregtisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor është me BE-në për shkak të marrëveshjeve të Stabilizim Asociimit.

Komisioneri Hahn shpjegoi së në fokus të strategjive të BE-së përfshihen edhe barrierat tregtare, duke u ndalur tek ato të vendosura nga Kosova për mallrat e ardhur nga Serbia dhe Bosnja. Prandaj, ai shtoi se krerët e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë drejt marrëdhënieve të mira fqinjësore, bashkëpunimit rajonal dhe pajtimit kuptimplotë pasi ato janë parakushte për t’u bashkuar me BE.

(BalkanWeb)