TIRANË – Komisioneri për Politikën e Fqinjësisë Evropiane, Johannes Hahn i ka thënë sot Presidentit të Republikës, Bujar Nishanit, gjatë pritjes zyrtare në Presidencë, se nuk e sheh me vend diskutimin e afateve kohore për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, sepse standardet janë të panegociueshme.

Po ashtu, lidhur me reformën në drejtësi, Hahn ka deklaruar se respekti i ndërsjellë i aktorëve të përfshirë është shumë i rëndësishëm dhe, edhe pse konsensusi nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, respekti ndaj Kushtetutës dhe pronësia e procesit të reformave janë domosdoshmëri.

Presidenti Nishani nga ana e tij theksoi domosdoshmërinë e përmbushjes së standardeve evropiane, si një detyrim në radhë të parë e mbi të gjitha ndaj qytetarëve shqiptarë, e jo duke i konsideruar ato një formalitet evropian. Më tej, ai vuri në dukje se kryefjala e këtij procesi mbetet reforma e gjithanshme dhe e mbështetur në vullnet të fortë e të palëkundur politik për zbatimin e saj në frymën evropiane.

Presidenti u ndal më gjerësisht tek reforma në fushën e drejtësisë, që përbën një prej pesë prioriteteve kyçe nga suksesi e të cilave ndërvaret dhe hapja e negociatave të anëtarësimit. Duke vlerësuar mbështetjen dhe ndihmën e partnerëve evropianë; Komisionit, Parlamentit Evropian, Delegacionit të BE-së në Tiranë, EURALIUS, etj, Kreu i Shtetit evidentoi se partneriteti evropian është veçanërisht i domosdoshëm në reformën në drejtësi, duke nënvizuar domosdoshmërinë e përfshirjes së të gjithë aktorëve dhe operatorëve të sistemit të drejtësisë dhe posaçërisht edhe të Komisionit të Venecias, në hartimin dhe çertifikimin e kësaj reforme kyç për vendin. Kjo reformë, u shpreh Presidenti, duhet të ecë me vendosmëri krah për krah me luftën e pakompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke e garantuar Komisionerin Hahn se do të mbështesë plotësisht dhe pandërprerje çdo përpjekje dhe hap që shkon në këtë drejtim.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb