TIRANË

Furtuna e lëvizjeve në shërbimin diplomatik ka sjellë debate në komisionin e Integrimit ku ka qenë i pranishëm ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj. E vetmja deputete opozitare ndoshta e mbetur, Rudina Hajdari ka kërkuar sqarime për largimin e 20 diplomatëve. Me gjithë përgjigjen e Cakajt, Hajdari duket se nuk është kënaqur.

Ajo tha se si mund të shkarkohen apo transferohen 20 punonjës kur Cakaj ka vetëm 77 ditë në atë detyrë dhe paraardhësi i tij, ish-ministri Ditmir Bushati e kishte vlerësuar këtë trupë diplomatike ndër më të aftat.

Ndër të tjera, deputetja Hajdari e quajti ‘djalë’ Bushatin. Në përgjigje Cakaj i ka kërkuar që komunikimi të ruhet në parametra pasi Bushati nuk është ‘një djalë’ por ministri me mandatin më të gjatë në historinë e pluralizmit.

Hajdari: Nuk mund të merrni shembullin e opozitës se nuk jeni deputet. Ju thatë shkarkimi apo transferimi. Ju keni 77 ditë në atë detyrë më duket befasuese si arritët në atë përfundim aq shpejt kur paraardhësi jua, ministri Bushati tha se unë po lë një trupë shërbimi diplomatik nga më të aftët. Ai djalë kishte 5 vjet aty.
Ju nëse bëni mesazhe të tilla, deklarata të tilla se po shkarkoni 20 veta, a nuk po cenoni ju këta njerëz, profesionalizmin e shërbimit tuaj diplomatik. Uroj që të mos jetë një vendim represiv, politik pa dobi për shërbimin diplomatik.

Cakaj: Ministri Bushati për ju nuk është një djalë por ministri me mandatin më të gjatë në atë institucion në historinë e pluralizmit. Ndaj kam dëshirë që komunikimi këtu të zhvillohet me parametra të rregullta.

Zoti Bushati ka thënë se ka lënë një administratë ambicioze por s’do të thotë se nuk ka nevojë për përmirësime. Ne jemi këtu për të sfiduar status quo dhe ndaj jemi këtu si një qeveri aktive. Sa i përket emrave që janë larguar, unë e përsëris një pjesë e tyre e kanë kaluar mandatin e shkruar të punës. Kur ka tejkalime të tilla duhet të ketë masa, mosmarrja e masave duhet t’u shqetësojë.
Unë e kam marrë atë vendim jo se kam 77 ditë në atë detyrë, harroni se kam qenë dhe zëvendës ministër. Nuk është vendim arbitrar por fillimi i një reforme të nevojshme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb