TROPOJË- “Njësitë administrative, Nikaj- Merturi, Llugaj, Margegaj, Bytyci, Bujan, Tropojë dhe Fierzë vazhdojnë të mbeten në pushtetin e dëborës dhe ngricave”. Kështu ka deklaruar deputetja demokrate Mimoza Hajdarmataj që ka parë nga afër gjendjen në këto zona.

Ajo deklaron se afro 5 mijë banorëve që jetojnë në rreth 60 fshatra nuk u mundësohet qarkullimi me qendrat e këtyre njësive administrative dhe as me qytetin Bajram Curri për arsye të bllokimit nga akulli dhe për faktin se bashkia nuk i ka mjetet e duhura për ta përballuar këtë situatë emergjente për të gjitha akset dytësore.

“Kryetarët e njësive administrative kërkojnë nga qeveria dhe emergjencat civile të mundësojnë ndërhyrjen për çlirimin e qarkullimit pasi nuk kanë të siguruar edhe bazën ushqimore si për familjet ashtu edhe për bagëtitë”, tha Hajdarmataj.

Ajo theksoi se problematike është situata me fëmijët dhe të moshuarit të cilët në presionin e të ftohtit dhe acarit, nuk u sigurohet ndihma mjekësore.

Sipas deputetes Hajdarmataj “qendra shëndetësore e Dragobisë e trumbetuar aq fort nga ministri Beqaj në kohën e sezonit veror turistik, qysh prej tetorit të kaluar, kohë kur si rezultat i furtunës dhe reshjeve të shiut u shkatërrua pothuajse krejtësisht dhe e tillë vazhdon edhe në këtë mot të acartë dhe me epidemi gripale”.

Ajo thotë së kjo qendër shëndetësore ka dalë jashtë funksionit dhe askush nuk ka marrë masa për rikonstruksionin e saj nga Tirana dhe as nuk ka asnjë mbështetje për ilaçe apo vaksina kundër gripit. “Moti i keq dhe keq qeverisja po mbajnë të izoluar Tropojën”, tha ajo.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: