Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” në News24 këtë të premte sjell nga Divjaka historinë trishtuese të familjes Keçi. Moza tregon se banon me burrin dhe dy fëmijët në një banesë që e ka zaptuar pa lejen pronarit. Banesa ngjan e braktisur në pamje të parë ndërsa brenda është e shkatërruar, nuk ka derë, as dritare.


“Jam martuar në vitin 2002, linda dy fëmijë. Jam pa shtëpi, pa asgjë. Jemi në një shtëpi me qira. Vetë jam marrë me blegtori. Më erdhi pronari i shtëpisë që e kam me qira më tha dua ta lirosh banesën. Herë ia paguanim qiranë, herë të tjera nuk kishim mundësi, e kam dalë në qiell të hapur. Përjashta. Kam 5 muaj përjashta. U detyrova të marr këtë shtëpinë që shikoni këtu. E ka lënë dikush që është momentalisht në Greqi. Shtëpia është e rrënuar e lënë pas dorë që ka arritur në këtë pikë. Unë erdha e zaptova se nuk kisha, të paktën mos të më shikonte tjetri se çfarë po bëja. Unë si përjashta ndihem edhe këtu, kur kalojnë kalimtarët shikojnë se çfarë bëhet brenda. Çfarë bie jashtë bie dhe brenda. Kam 5 vjet këtu, nuk mundem dot. Me mish e me shpirt kemi punuar. Gjithë natën qëndisja duke parë me dritën e telefonit, kam dëmtuar edhe syrin për shkak se nuk kam drita. Punoja me orë të zgjatura gjithë natën për një grua këtu. Mundohesha të punoja sa më shpejt të fitoja ndonjë lek që mos t’i lija fëmijët pa ngrënë. Kështu siguroja bukën thatë, por shtëpinë jo. Nuk kam mundur. Kam hyrë në vitin e gjashtë në këtë shtëpi. Më llahtar nuk ka. Është tmerr këtu. Shumë ftohtë. Kur bie shi rri si roje e heq me fshesë. Rrimë roje me burrë e fëmijë se kam hall mos na bie çatia dhe na zë brenda. Thosha më mirë të jetë acar sesa të jetë shi. Kur bie shi i mbledhim fëmijët në një cep në një divan me plastmasë. Kur ishte acar dilja me fëmijët në diell. Na shikonin të gjithë duke qëndruar nën rrezet e diellit. Tërhiqemi zvarrë për tu siguruar fëmijëve bukën e gojës. Në dimër edhe gjejmë ndonjë punë. S’ka punë.
Frika ime më e madhe është se mos na zërë poshtë çatia. Them kur zgjohem, gdhiva edhe sot me fëmijët. Falënderoj Zotin. Fiket drita e Zotit fiket edhe drita jonë, pyetja që i bëjmë vetes është a do zgjohemi nesër në mëngjes sërish? Nuk e kisha menduar kurrë jetën time ndonjëherë kështu. Jo në këtë gjendje. Si ndihet një nënë kur e di se fëmija nuk di ku të ulet të bëjë detyrat e shtëpisë. Fëmijët e mi kanë rënë nga mësimet vetëm nga kushtet. Kur është ftohtë nuk shkruajnë dot u mpihen duar”, shprehet e përlotur Moza.


  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për bukën e gojës, na ndihmon një grua në Divjakë. Ajo grua thotë se i ka zëvendësuar motrën.
“Më ka ndihmuar për bukë me punë. Të paktën të siguroj një kafshatë buke për fëmijët. Ajo grua del të mikeshat e saj dhe kërkon rroba për fëmijët e mi. Unë nuk u blej dot rroba të reja. Djali im është në klasë të 9-të, nuk ka qenë kurrë në ekskursion. Nuk ka veshur kurrë rroba të reja, ndahet gjithmonë nga shokët. Buza ime nuk qesh kurrë”, shprehet Moza.


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb