Anëtari i Byrosë Politike të Hamasit, Osama Hamdan, deklaroi se çdo propozim i ri nga SHBA-ja për një armëpushim dhe shkëmbim të pengjeve në Rripin e Gazës synon “të shuajë zemërimin në rrugët e Izraelit” dhe “të fitojë kohë për vrasje të mëtejshme të popullit palestinez”, transmeton Anadolu.

Sipas deklaratës së publikuar në faqen Telegram të Hamasit, duke folur për televizionin Al Jazeera me qendër në Katar, Hamdan tha se përveç asaj që ka dëgjuar në media dhe asaj që është diskutuar me ndërmjetësuesit, nuk ka asgjë të re në lidhje me synimin e presidentit amerikan Joe Biden për të paraqitur një propozim të ri.

Duke deklaruar se SHBA-ja është partneri i Izraelit, se nuk i ka bërë presion të mjaftueshëm kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe se nuk ka bërë ato që duheshin bërë për t‘iu përmbajtur iniciativave të paraqitura, Hamdan tha se “Bisedat e SHBA-së për paraqitjen e një iniciative janë një përpjekje për të shuar zemërimin (në rrugët e Izraelit) si rezultat i dështimit Izrael-SHBA dhe është iniciativë për t’i dhënë Netanyahut më shumë kohë për të vrarë më shumë palestinezë”.

Hamdan vuri në dukje se ideja e shpëtimit të pengjeve izraelitë nga Gaza sipas kushteve të Izraelit nuk është e mundur dhe se pengjet nuk do të kthehen në familjet e tyre për sa kohë që sulmet nuk përfundojnë dhe Izraeli nuk tërhiqet plotësisht nga Rripi i Gazës.

“Nuk ka nevojë për një iniciativë të re. Ajo që nevojitet është të detyrohet Netanyahu ndaj asaj që u prezantua më 2 korrik dhe e cila u miratua nga rezistenca. Kjo është rruga e daljes, jo negociata të shumta pa horizont”, tha më tej zyrtari i Hamasit.

Duke përsëritur se Hamasi kundërshton çdo formulë që lejon Izraelin të qëndrojë në Korridorin e Filadelfit, Hamdan tha se Korridori i Filadelfit është një pjesë e procesit për tërheqjen nga Gaza “për të cilën është rënë dakord për nënshkrimin e marrëveshjes që përfshin një armëpushim, tërheqje të plotë nga Rripi i Gazës dhe shkëmbimin e pengjeve”.

Sipas lajmit të botuar më 2 shtator në gazetën Washington Post (WP), zyrtarë që folën me gazetën dhe që dëshironin të mbeteshin anonimë kanë pretenduar se administrata e presidentit amerikan Joe Biden po përgatitet të ofrojë një propozim të fundit për armëpushim në Rripin e Gazës në formën “prano ose refuzo”.

Grupet palestineze në Gaza, me ndërmjetësimin e Katarit dhe Egjiptit kanë zhvilluar negociata indirekte në Doha dhe Kajro prej muajsh për të arritur një marrëveshje me Izraelin për shkëmbimin e pengjeve dhe armëpushimin.

Hamasi deklaroi se Netanyahu pengoi arritjen e një marrëveshjeje duke vendosur kushte të reja në negociatat e zhvilluara nën ndërmjetësimin e SHBA-së, Egjiptit dhe Katarit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb