Grupi palestinez i rezistencës Hamas ka kundërshtuar pjesëmarrjen e Izraelit në takimin e sigurisë detare të udhëhequr nga SHBA në Bahrein.

Delegacioni zyrtar i Izraelit do të jetë pjesëmarrës në konferencën e sigurisë detare i cili do të mbahet sot dhe nesër në kryeqytetin e Bahreinit, Manama, raportoi televizioni izraelit Kanal 13.

Izraeli dhe Bahreini nuk kanë marrëdhënie diplomatike.

Në një deklaratë, zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qasim, tha se përpjekjet për “integrimin e okupimit izraelit në rajon janë të destinuara të dështojnë”.

Ai fajësoi palët që “normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin” për “sulmet izraelite ndaj popullit palestinez dhe vendet e tyre të shenjta”.

Në samitin dyditor gjithashtu pritet të marrin pjesë Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Omani, ndërsa axhenda kryesore e takimit do të jetë “kërcënimi iranian në Gjirin Persik”.

Takimi i sigurisë detare në Manama është një vazhdim i konferencës kundër kërcënimit iranian të udhëhequr nga SHBA që u mbajt në shkurt në kryeqytetin polak, Varshavë.

Ministria e Jashtme izraelite në një deklaratë për Kanal 13 nuk e përgënjeshtroi pjesëmarrjen dhe tha se konferenca në fjalë është “pjesë e procesit të Varshavës”.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb