Kryenegociatori i Hamasit me bazë në Katar Khalil al-Hayya u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të “ushtrojnë presion real ndaj Netanyahut dhe qeverisë së tij” për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gazë.

Komentet vijnë ndërsa Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ka thënë “se nuk ka ndonjë marrëveshje në prag të nënshkrimit”.

“Fatkeqësisht, nuk jemi afër një marrëveshjeje, por ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i çuar ata (Hamasin), në pikën ku të bëjnë një marrëveshje”, tha zoti Netanyahu për mediat amerikane.

Të dyja palët kanë shkëmbyer akuza, duke fajësuar njëra-tjetrën për ngecje të bisedimeve për armëpushim dhe shkëmbim pengjesh. Zoti Netanyahu ndërkohë po përballet edhe me trysni të brendshme për të nënshkruar një marrëveshje, pas vdekjes së fundmi të gjashtë pengjeve në Gazë.

Zoti Netanyahu këmbëngul se Izraeli duhet të mbajë kontrollin mbi Korridorin e Filadelfit përgjatë kufirit Egjipt-Gazë për të parandaluar kontrabandën e armëve të Hamasit, sulmi terrorist i të cilit, më 7 tetor ndaj Izraelit, u bë shkak për nisjen e luftës.

Hamasi kërkon tërheqjen e plotë të Izraelit nga rajoni dhe të enjten tha se qëndrimi i zotit Netanyahut “synon të pengojë arritjen e një marrëveshjeje”.

Grupi militant palestinez thotë se një marrëveshje e re do të ishte e panevojshme, pasi ata kishin rënë dakord muaj më parë për një armëpushim të kërkuar nga Presidenti Biden.

“Ne paralajmërojmë që të mos biet në grackën e Netanyahut, i cili i përdor negociatat për të zgjatur agresionin kundër popullit tonë”, thuhej në deklaratën e grupit militant.

Uashingtoni ka bërë një propozim që thotë se do ta ngushtonte hendekun mes palëve ndërluftuese dhe sipas sekretarit të Shtetit Antony Blinken Izraeli dhe Hamasi kanë dakord për “90 për qind të tij”.

“Është realisht detyrë e të dyja palëve të bien dakord edhe për çështjet e mbetura”, tha zoti Blinken gjatë një vizite në Haiti.

Gjatë protestave në disa qytete izraelite këtë javë, kritikët e zotit Netanyahu e kanë fajësuar atë për vdekjen e pengjeve, duke thënë se ai ka refuzuar të bëjë lëshimet e nevojshme për të arritur një marrëveshje për armëpushim.

“Ne do të bëjmë gjithçka për t’i kthyer pengjet. Edhe nëse udhëheqësit nuk duan të nënshkruajnë një marrëveshje, ne do ta bëjmë”, tha Gil Dickmann, kushëriri i Carmel Gat, një prej gjashtë pengjeve, trupat e të cilëve u gjetën në një tunel të Gazës, javën e kaluar.

Zoti Dickmann mori pjesë në një tubim në Tel Aviv të enjten në mbrëmje. Sipas një gazetari të agjencisë së lajmeve franceze ‘AFP’, turmat e njerëzve protestuan duke mbajtur në krah arkivolë bosh, si shprehje e zëmërimit të tyre me qëndrimin e qeverisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb