Grupi palestinez Hamas ka deklaruar se thirrja nga samiti midis Bashkimit Evropian (BE) dhe Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), për një armëpushim në Gaza dhe hapjen e pikave kufitare, kërkon “hapa praktike” për të detyruar Izraelin të ndalojë luftën gjenocidale në enklavën palestineze, transmeton Anadolu.

Pas samitit të tyre të parë të mbajtur në Bruksel, BE-ja dhe GCC-ja në një deklaratë të përbashkët kërkuan zbatimin e plotë të Rezolutës 2745 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshirë “një armëpushim të menjëhershëm dhe të plotë, lirimin e pengjeve, shkëmbimin e të burgosurve palestinezë, si dhe qasjen e menjëhershme dhe të papenguar humanitare për popullsinë civile”.

Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 2735, e cila mbështeti një plan prej tre fazash, të paraqitur nga presidenti amerikan, Joe Biden, për një armëpushim në Gaza.

“Thirrja e samitit për të hapur të gjitha vendkalimet në Gaza dhe për të lejuar ndihmën kërkon hapa praktike nga vendet pjesëmarrëse për të detyruar Izraelin të respektojë vullnetin ndërkombëtar që bën thirrje për ndalimin e gjenocidit në Gaza dhe zbatimin e Rezolutës 2735 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim”, tha Hamasi.

Grupi palestinez u kërkoi vendeve që marrin pjesë në samit “të ndërmarrin hapa praktike për të ndaluar shkeljen e ligjit ndërkombëtar dhe humanitar nga Izraeli”. Po ashtu grupi thekoi se përshëndet Rezolutën 2735 të OKB-së dhe propozimet e presidentit Biden për armpushim.

“Por Netanyahu vazhdon të pengojë zbatimin e rezolutës dhe vazhdon agresionin dhe krimet e tij kundër Gazës, Libanit dhe vendeve të tjera fqinje”, tha Hamasi.

Duke shkelur Rezolutën 2735, Izraeli vazhdon ofensivën brutale në Gaza pas sulmit ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas tetorin e vitit të kaluar. Të paktën 42.400 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 99 mijë të tjerë janë plagosur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: