GJERMANI- 16 persona kanë mbetur të plagosur pas një sherri mes azilkërkuesve shqiptarë në kampin e Harburgut në Hamburg dhe azilkërkuesve eritreanë. Ngjarja ka ndodhur gjatë fundjavës, teksa sipas medias lokale mësohet se personat e përfshirë në sherr janë të moshës nga 20 deri në 40 vjeç.

Kanë qenë rreth 41 persona që janë konfliktuar me njëri-tjetrin, duke përdorur dhe mjete të forta si shkopinj, karrige e sende të tjera. Për të qetësuar gjendjen është dashur dhe ndërhyrja e forcave të policisë si dhe një helikopteri, teksa u shoqëruan 18 vetë.  Menjëherë pas ngjarjes, autoritetet lokale kanë ndarë në objekte të veçanta shqiptarët dhe eritreanët, por pasi të ndaluarit u rikthyen në kamp, ata kanë nisur të provokojnë palën tjetër duke sulmuar një kontenier dhe duke i vënë flakën objekteve brenda tij. Përfaqësuesit e autoritete të brendshme e shpjegojnë shkakun me gjendjen e tensionuar me mbipopullimin e qendrës së azilit dhe me tejkalimin e afatit të lejuar ligjor (mbi tre muaj) të qëndrimit të refugjatëve në këtë ambient.

Mediat lokale madje teksa përshkruajnë kushtet në të cilat jetojnë azilkërkuesit, dëshmojnë përmes videove amatore, se për 4 persona u ofrohet një hapësirë prej 12 metrash katrorë, pa kushte higjienike, me ushqim modest dhe 140 euro para xhepi. Shumica e azilkërkuesve janë nga Siria, Serbia, Eritrea, Afganistani, Shqipëria dhe më pak nga Maqedonia e Bosnja Hercegovina. Njerëzit atje ndihen të frustruar-shkruajnë shtypi lokal- duke theksuar se ky është shkaku që situata dhune ndodhin shpesh, ndaj policisë i duhet të qëndroje çdo ditë në gjendje gatishmërie.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: