Luis Hamilton feston sot 40-vjetorin e lindjes, një datëlindje që e gjen britanikun si pilot të Ferrarit. Shtatë herë kampioni i botës do të bëjë debutimin e tij në pistë me njëvendëshen e kuqe brenda vetëm dy javësh. Sipas “Motorsport.com” skuderia italiane do të përfitojë sa më shumë nga rregulloret e reja të FIA-s për testimet private me makinat e vjetra.

Në rregulloret sportive të Formulës 1 të vendosura nga FIA dhjetorin e kaluar thuhet: “Çdo garues mund të kryejë një maksimum prej njëmijë (1000) kilometrash TPC (Testimi i Makinave të Mëparshme) në çdo vit kalendarik.

Një distancë e tillë akumulohet në një maksimum prej katër (4) ditëve të lejuara”. Si pasojë, Ferrari do të përdorë 4 ditët dhe 1000 km të testimit të tij këtë muaj për të ndihmuar Luis Hamiltonin të ambientohet me ekipin e tij të ri përpara sezonit 2025. Testimi i parë pritet të bëhet në pistën e skuadrës italiane në Fiorano më datën 20 ose 21 janar, në varësi të motit. Më pas Ferrari do të zhvendoset në Barcelonë, me pistën katalanase të rezervuar për 3 ditë të tjera.

Ndërkohë ende nuk është vendosur nëse Hamilton do të drejtojë makinën SF-23 apo atë të një sezoni më të vjetër të vitit 2022, modelin F1-75. Drejtori i ekipit Frederik Vasër ka deklaruar se nuk është aspak i shqetësuar për përshtatjen e pilotit britanik me Ferrarin. Për sa i përket prezantimit, Ferrari do t’i heqë mbulesën makinës së re më datë 19 shkurt, një javë para fillimit të testimit zyrtar parasezonal në Bahrejn më 26 shkurt.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb