NGA LEDIONA XHELADINAJ

KORCE- “Hani i Elbasanit” në pazarin e Korçës tashmë është kthyer në “Shtëpinë e Bernarda Albës”, duke rrëmbyer jo vetëm ndërtesën, por edhe zemrën e spektatorit korçar. “Shtëpia e Bernarda Albës” nga autori Federiko Garcia Lorka, duke filluar nga data 11 Qershor ka nisur rrugëtimin e saj si një ‘Eksterier Spektakël’. “Jemi përpjekur që të gjithë përrallën ta përshtatim me vendin e veprimit, ndërkohë që publiku bëhet bashkëvuajtës me personazhet, ndihmuar kjo edhe nga vetë vendi i veprimit. Si rrallë herë ai në këtë rast do të ketë mundësinë për të parë një shfaqje në një shtëpi reale gjegjësisht në “Shtëpinë e Bernardës”.

Gjatë vdekjes së bashkëshortit të dytë, Bernarda Alba, imponon një periudhë të gjatë zie në shtëpinë e saj prej 8 vitesh, ashtu siç e ka zakon tradita e saj. Ajo ka 5 vajza të moshës 20 – 39 vjeç, të cilat i ka kontrolluar në mënyrë absolute dhe nuk i ka lejuar kurrë të kenë asnjë lloj marrëdhënieje. Periudha e zisë i izolon më tepër ato dhe e rrit më shumë tensionin në shtëpi. Çastet e fundit të dramës tregojnë qartë preokupimin karakteristik të Bernardës me reputacionin e familjes.

Për regjisorin Qendrim Rijani kjo është një ndër shfaqjet e shumta të tij më të suksesshme ku interpretimi brilant i aktorëve ka mbërthyer çdo kënd që e ka ndjekur këtë shfaqje. I emocionuar për suksesin ai tregon për “Gazetën Shqiptare” gjithçka rreth dramës botërore, e cila ka zaptuar edhe publikun korçar.

– Si lindi ideja e vënies në skenë të pjesës së njohur “Shtëpia e Bernarda Albës”?
Sa i përket idesë, si fillim mendoja që të vija në skenë “Ëndrrën e një nate vere”. Pasi pashë “Hanin e Elbasanit” atëherë vendosa që të punojmë “Shtëpinë e Bernarda Albës”. Ishte vërtetë intrigues dhe bindës ai vend për të bërë këtë tekst.

– Sa mendoni se është arritur qëllimi tuaj, pra suksesi i deritanishëm i shfaqjes?
Sa i përket suksesit, besoj që ja arritëm qëllimit duke parë reagimet pozitive të atyre që e kanë parë shfaqjen deri tani. Publiku ka qenë plotë emocione gjatë shfaqjes ndërsa përjetimi një me një me aktorët tregon shumë. Nëse publiku bëhet një trup me aktorin kjo tregon që interpretimi ka hyrë në shpirtin e tij dhe ky është qëllimi. Përcjellja e emocionit dhe gjithçka tek publiku. Duartrokitjet dhe fjalët e mira kanë qenë pafund duke treguar që ata vërtet janë kënaqur dhe ky është sukses i një regjisori, por jo vetëm.

– Pse u zgjodh pikërisht Korça për të vënë në skenë këtë dramë?
Nuk është hera e parë që jam në Korçë. Është publiku ai i cili çdo herë më mbush me vullnet për të bërë shfaqje. Është vërtetë publik i mrekullueshëm. Përveç kësaj vendi i quajtur “Hani i Elbasanit” që tashmë është kthyer në “Shtëpinë e Bernardës” është vendi më i përshtatshëm për të arritur këtë sukses. Gjithçka është përshtatur vendi, dyert, struktura e ndërtesës gjithçka. Ndoshta Lorka e ka ditur që diku në një vend të Korçës ekzistonte një han ku mund të përshtatej vepra e tij.

– Mes aktorëve ka edhe të njohur si Zamira Kita dhe Sotiraq Bratko. Sa e vështirë ka qenë gjetja e tyre me përshtatjen e rolit?
Të kesh dy aktorë siç është Sotiraq Bratko dhe Zamira Kita në role kryesore është më e lehtë edhe puna për një regjisor. Sigurisht përzgjedhja e tyre dhe të aktorëve të tjerë siç janë Ilda Pepi, Blerta Belliu, Linda Jarani, Ola Harizaj, kanë mundur të bëjnë interpretim brilant duke e kthyer shfaqjen në një sukses të vërtetë ashtu siç është e njohur botërisht. Po ashtu një ndërhyrje në thelb të veprës ka qenë edhe përshtatja e rolit të Sotiraq Bratkos. Pra në vepër ka qenë femër(nëna e Bernardës) kurse unë kam bërë një ndërhyrje duke e bërë mashkull (babai i Bernardës) Sotiraq Bratko.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: