Deputeti Lefter Maliqi ka folur me tone të ashpra në seancën e sotme plenare, teksa ka deklaruar se politikanët nuk duan Vetting, pasi do të dilnin lakuriq.

Duke e nisur fjalën e tij me vargjet e Reshat Arbanës “hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhep e mbushni arka, … ju gjeti dreka, milionerë ju gjeti darka”, deputeti tha se politikanët, përfshi edhe ish-ministra të opozitës, nuk e dinë ku i kanë vilat. Sipas tij, sistemi elektoral pas 2008-ës nxori kriminelë me pranga, kryebashkiakë të arrestuar kudo.

“Unë do citoj 2-3 rreshta të Reshat Arbanës “Hani pini dhe rrëmbeni, mbushni xhep e mbushni arka, … ju gjeti dreka, milionerë ju gjeti darka”. Ju nuk doni të bëhet Vettingu, pasi dilni lakuriq. Po të bëhet Vettingu, ju dhe disa ish-ministra të opozitës, e dini si dilni ju, nuk e dini ku i keni vilat. Ky sistem pas 2008 nxori kriminelë me pranga, kryebashkiakë të arrestuar në Itali, Greqi e kudo.

A e dini çfarë ka pjellë ky Kuvend? Milionerë, të pasur, që blejnë votat në çdo qendër votimi. Në zonën time të vijë Rama të konkurrojë pa lekë, zonë me 6 qendra votimi, po fitoi i jap dorën. Rama dhe Basha vazhdojnë të kenë marrëveshje. Këta nuk duan të ndryshojnë sistemin parlamentar, sepse kanë frikë. Ju deputetët guxoni të dilni kundër Ramës? Içik e ngriti zërin Bushati, dhe po e degjenerojnë. Ky është sistemi i fëlliqur i këtyre, për t’i marrë të gjitha sistemet për vete. Kush janë dy-tre të fortët që bëjnë emërimet?

E shkatërruan këtë vend, unë jam që të bëhet një marrëveshje të ndryshohet sistemi zgjedhor dhe të shpëtojë ky vend. Ju këtu keni thënë “do arrestohet Ilir Meta”, por i pari është “peshkaqeni”, që ka miliona e miliona, ka dhe Surrelin. Ju nuk jetoni me realitetin, juve s’ua mban të vini në zonë të takoni qytetarët. Kanë ikur 300 mijë shqiptarë, se po të ishin ato këtu e kishin marrë këtë të gjatin e kishin hedhur në kosh plehrash. Nëse e doni këtë vend, duhet të ndryshohet sistemi elektoral”, tha Maliqi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb