Filloi edicioni i dytë Lin Festival një nga festivalet e veçanta që organizohen në juglindje të vendit me qëllim evidentimin e vlerave etno-kulturore të zonës dhe prezantimin e tyre para turistëve shqiptarë dhe të huaj.
Për të dytin vit radhazi organizatorët kanë menduar që vendi ku zhvillohet festivali të jetë mozaiku paleokristian i cili daton në shekullin V-VI të erës sonë dhe dëshmon për gjurmë të jetës ilire që i përkasin epokës së hekurit deri në Mesjetën e hershme. Duke qënë se në edicionin e parë ky festival u prit mirë nga publiku artdashës, organizatorët do ta sjellin për 3 netë me radhë.
Turizmi në rajonin e Korçës këtë vit ka patur një trend akoma më pozitiv krahasuar me sezonin e vjetshëm dhe sipas prefektit të Qarkut të Korçës Nertil Jole janë të tilla aktivitete që promovojnë atraksionet e qarkut duke evidentuar vlerat e pasura etno-kulturore.
Lin Festival në këto 3 net, përmes artistëve nga trevat shqiptare do të përcjellë për publikun muzikë të përzgjedhur duke e ndërthurur edhe me elemente nga historia, kultura dhe tradita e bukur.