Nga: ERMELINDA HOXHAJ
TIRANE – Mbi 120 mijë studentë nisin sot vitin e ri akademik. Në mbarë vendin universitetet publike dhe private nisin vitin e ri akademik 2016-2017. Faktikisht ky vit i ri akademik po fillon me mungesën e një pjese të madhe të studentëve që do të ndjekin vitin e parë të studimeve, pasi ende një pjesë e tyre, rreth 40%, nuk janë regjistruar. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, dita e fundit e regjistrimit në universitete do të jetë data 27 tetor. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, urimin për fillimin e vitit të ri akademik do ta bëjë në ambientet e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, bashkërisht me rektorin e Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Ndërkohë që, në të gjitha universitetet maturantët do të vijojnë të regjistrohen pranë sekretarive mësimore pasi vijon spostimi i vijës, në bazë të fazave 48-orëshe që u lihen si afat kandidatëve që shpallen fitues që të regjistrohen. Faktikisht, procedurat e regjistrimit në universitet kanë zgjatur shumë, të cilat kanë sjellë edhe një ulje të cilësisë së maturantëve që po regjistrohen. Kjo gjë është deklaruar nga dekani i Fakultetit të Ekonomisë në UT, Dhori Kule. “Me nënfazën e dytë, te Ekonomiku mbetën 603 kuota të lira, më datë 19 u regjistruan rreth 100 kandidatë, pritet të regjistrohen edhe një pjesë të enjten, por sërish ne kemi 500 kuota bosh. Dhe me zgjatjen e procesit të regjistrimeve, ka ndodhur një fenomen, që neve na kanë ikur një kategori e maturantëve të mirë. Shumë maturantë e kanë bërë zgjedhjen e tyre të nxituar, nën presionin dhe frikën se ndofta nuk do fitonin program tjetër. Po ajo që po ndodh është se, me zbritjen e vijës së kuqe po ulet edhe niveli i maturantëve”, – sqaroi dekani Kule.

Regjistrimet & Ndryshimet
Zgjatja e procedurave të regjistrimeve në disa universitete ka sjellë edhe pakënaqësi, pasi ka ulur cilësinë e studentëve që do regjistrohen në vitin e parë. Sipas ish-rektorit të UT-së dhe dekan i Ekonomikut, Dhori Kule, i cili procedurat e regjistrimeve i ka quajtur sfilitëse, për fakultetin që ai drejton ka shkaktuar një dëm, sa i përket cilësisë së maturantëve që po regjistrohen me spostimin e vijës së kuqe. “Fakti i pritjes për një kohë të gjatë dhe i ankthit i ka bërë shumë maturantë që të regjistrohen në të parin program ku shpallen fitues, pasi kanë frikë se mos mbeten pa shkollë.
Por pikërisht kjo gjë ka bërë që aktualisht te Ekonomiku të vijojmë të kemi 500 kuota të paplotësuara, ndërsa maturantët që po regjistrohen janë me mesatare të ulët, dhe do vijë duke u ulur në ditët në vijim. Ndaj në vitin që vjen ne do ndryshojmë procedurat. Nuk ka përse regjistrimet në universitet të bëhen në të njëjtën kohë. Fakulteti i Ekonomisë është një ndër fakultetet më të kërkuara, ndaj edhe studentët që duhet të pranohen duhet të jenë të mirë. Ne vitin tjetër do i përcaktojmë më vete procedurat e regjistrimit, dhe kam bindjen se do i mbyllim që në muajin korrik, nuk kemi përse të bëjmë regjistrime në shtator-tetor. Personalisht besoj se ne duhet të ndjekim modelin europian. Maturantët nuk kanë përse të trokasin në ministri, por duhet t’i drejtohen universitetit”, – theksoi dekani Kule për “GSH”.
Po ashtu, ai sqaroi se ky vit dëshmoi se universitetet ishin në gjumë, dhe Ministria e Arsimit mori përsipër peshën e fajit që nuk i takonte, ndaj duhet që vitin që vjen universitetet të bëjnë ndryshime. “Procedurat e këtij viti treguan se drejtuesit e universiteteve, rektorët, dekanët, shefat e departamenteve nuk i morën përgjegjësitë që u dha ligji i arsimit të lartë. Ministria e Arsimit ka qenë korrekte, universitetet nuk kanë qenë korrekte, por kanë qenë në gjumë. Ministria ka mbajtur barrën e paaftësisë së universiteteve, nuk na ka sharë asnjëherë apo të tregojë gishtin nga ne. Sepse faktikisht për këtë katrahurë të turpshme e kanë fajin universitetet. Ndaj Fakulteti Ekonomik vitin e ardhshëm do marrë vendime të tjera, duke i mbyllur më vete procedurat e regjistrimit. Nuk mund të lejojmë që të ndodhë si këtë vit, që po na bie niveli i notës së studentëve që pranohen”, – saktësoi dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: