Ditën e sotme Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda shpalli zyrtarisht thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për pozicionet e 12 drejtuesve të qarqeve.
Gazetari Igli Celmeta raporton për Balkanweb se thirrja do të qëndrojë e hapur deri më 29 tetor në faqen zyrtare të Policisë.
Kandidatët që do të aplikojnë duhet të dorëzojnë në Komisionin te Drejtoria e Përgjithshme e Policisë një kërkesë me shkrim, ku shprehin interesin për të aplikuar.
“THIRRJE PËR APLIKIM PËR POZICIONIN ‘DREJTOR I DREJTORISË VENDORE TË POLICISË’
Policia e Shtetit shpall thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për pozicionin “Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë”.
Punonjësit e interesuar që shprehin interesin për të aplikuar për pozicionin “Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë” dhe plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 641, datë 16.10.2024 “Për miratimin e rregullores për përzgjedhjen e kandidatit për zëvendësdrejtor të përgjithshëm, drejtor të departamentit, drejtor të drejtorisë vendore dhe shef të komisariatit në Policinë e Shtetit”, duhet të plotësojnë dhe dorëzojnë brenda datës 29.10.2024, ora 16:30, pranë Komisionit të Vlerësimit të Aplikimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dokumentacionin, i cili mund të shkarkohet në linkun e mëposhtëm”, njofton Policia e Shtetit në facebook.
(Balkanweb)