GJIROKASTËR
Persona të paidentifikuar kanë hapur memorialin e ngritur për ushtarët e rënë grekë në Dropull, ndërsa policia e Gjirokastrës ka nisur hetimet për rastin.
Gazetarja Brikena Metaj raporton për “BalkanWeb” se janë nxjerrë eshtrat e tre ushtarëve grekë. Siç raporton gazetarja Metaj, varreza, e cila është ndërtuar pas luftës italo-greke, ka qenë gjithmonë nën ruajtjen dhe mbrojtjen e fshatit, ndërsa është gjetur e hapur nga kryetari i fshatit dhe dy persona të tjerë.
Gazetarja Metaj njofton për “BalkanWeb” se ditët e fundit në fshat janë paraqitur disa persona, të cilët janë prezantuar si anëtarë të Komisionit të Përbashkët të Kërkimit të Eshtrave dhe kanë kërkuar marrjen e eshtrave të tre ushtarëve.
Kërkesa e tyre ka hasur në refuzimin e banorëve të fshatit, të cilët janë kujdesur përgjatë viteve për memorialin e vendosur brenda kishës së fshatit. Pas refuzimit, paraditen e të premtes së 23 korrikut, banorët kanë gjetur memorialin të hapur dhe kanë vënë re mungesën e eshtrave.
Sipas burimeve zyrtare, specialistët e Postës së Policisë Dropull kanë referuar materialet në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, pasi në datën 23.07.2021, në fshatin Vodhinë, Dropull është konstatuar se kanë hapur memorialin e ngritur për nder të ushtarëve grek, të rënë në luftën e dytë botërore.
Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
(BalkanWeb)