Në emisioni Chik në News24 sot do të flasim për një ekspozitë artizanësh, ku shumë mjeshtër të punimeve me dorë janë bërë bashkë, nga i gjithë vendi edhe nga Kosova për të hapur këtë panair. Shpresa Dorda është një nga organizatoret e këtij panairi dhe e ftuar nga moderatorja Fjodora Fjora tregon arsyen e vërtetë të kësaj ekspozite e organizuar në ambientet e Kalasë së Tiranës.

Rreth 9 artizanë gjithsej, në fusha të ndryshme, kanë ekspozuar punimet e tyre, të realizuara prej druri, bakri, serme, qëndistarije, në një mini panair të vogël në qendër të kryeqytetit.
Të përzgjedhur si më të mirët nga bashkitë e vendit artizanët kanë prezantuar veprat e tyre, duke dhënë një larmishmëri punimesh .

’Si pikë kryesore kemi dashur të kemi larmishmërinë e punimeve, që do të prezantonim në këtë ekspozitë artizanati, duke pasur si qëllim të përfshinim artizanë nga e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm. Të gjithë artistët kanë sjellë në panair punime të ndryshme, nga ato të kashtës, gurit, drurit, punime prej mëndafsh, nga zona e Zadrimës, nga Shkodra punimin e qeleshes, punimet nga shajaku, që vijnë nga Prizreni, janë pak element nga të gjithë, duke përfshirë tradicionalen dhe cilësinë’, sqaron zonja Dorda.

Në panair, një veçanti ka qenë edhe Stenda e Mamave. Këto zonja kanë sjellë në këtë panair punime të ndryshme me dorë dhe shitjet e tyre do të përdoren në luftën kundër autizmit.

Një grup prej 10 zonjash, kanë sjellë qëndismat e tyre, sapunët 100% shqiptare, ku baza kryesore është vaji i ullirit, rruazat dhe produkte të tjera shumë interesante dhe të ardhurat nga shitja e këtyre produkteve do të shkojnë në luftën kundër autizmit.

Ky është panairi i parë i këtij lloji, që hapet në zonën e Kalasë së Tiranës, duke i dhënë mundësi të gjithë turistëve vendas dhe të huaj të prezantohen me kulturën dhe traditën shqiptare.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: