INSTAT raporton se rreth 15% e vajzave të moshës 18-24 vjeç përjetojnë dhunë seksuale aktualisht. Shoqëria civile ka marrë iniciativën për të çelur të parën qendër për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga dhuna seksuale.


Sipas drejtorit ekzekutiv të qendrës për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve Altin Hazizaj, në Shqipëri një në dhjetë fëmijë dhe adoleshentë janë viktima të dhunës dhe ngacmimit seksual.
Studimet kanë treguar se kur viktimat e dhunës seksuale intervistohen nga punonjësit e policisë pastaj nga psikologu e më pas prokurori ata rijetojnë traumën që shkakton pasoja serioze në shëndetin e tyre mendor. Kjo qendër do të ketë të gjitha shërbimet e integruara me profesionistët e fushave të ndryshme.


“Në Shqipëri nuk ka deri më sot asnjë shërbim për viktimat e dhunës seksuale. Në vitin 2013, kemi publikuar të dhëna statistikore dhe shkencore sa i përket dhunës seksuale tek fëmijët, fatkeqësisht ajo është në nivele tepër të larta, si dhuna seksuale me kontakt dhe dhuna seksuale pa kontakt. Jemi njësoj me BE një në 10 fëmijë deklarojnë se janë viktima të dhunës seksuale, jemi në një nivel. Si është organizuar? Shërbimi është pilot ideja. Fëmija sapo raporton dhunën seksuale, mos të intervistohet nga 100 profesionistë. Ata do të vijnë në një qendër të vetme dhe intervista të bëhet një dhe kaq.
Krijimi i një qendre të tillë do të sjellë në një vend të vetëm kujdesin shoqëror, këshillimin dhe mbrojtjen ligjore për fëmijët dhe adoleshentët që i kanë mbijetuar dhunës seksuale”, deklaroi Hazizaj.


Por numrin e vërtetë të viktimave të dhunës seksuale nuk do t’i njohim kurrë sipas Hazizaj, pasi shifrat e raportuara me realitetin nuk korrespondojnë.
“Ne kemi nevojë që viktimat e dhunës seksuale të denoncojnë. Nëse krahasojmë përqindjet statistikore me numrin e vërtetë të raportimeve në polici dhe prokurori numrat nuk përputhen janë shumë larg. I themi pedofilëve se nuk ka më dhunë seksuale ndaj fëmijëve në këtë shtet dhe qytet”, tha Hazizaj.

Deri më sot një qendër për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga dhuna seksuale ka qenë e munguar në vendin tonë, strukturat e shtetit vazhdojnë të mbajnë nëpër letra strategji që kurrë nuk janë bërë të prekshme.
Indeksi Global “Jashtë Hijeve” i The Economist Intelligence UNIT, në analizën e tij ME mbi 40 vende të botës, i dha zero pikë Shqipërisë për shkak të mungesës së mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe dhuna seksuale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: